Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi sot nisjen e vitit të ri akademik 2024-2025, ndërsa zgjodhi të përshëndesë studentët dhe pedagogët këtë vit nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, një nga më të vjetrit në Shqipëri dhe i pari në të gjitha rankimet kombëtare e ndërkombëtare.
Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti Begaj këshilloi studentët të përkushtohen në studime për të dhënë modelin e arritjes së suksesit përmes mundit që shpërblehet dhe jo përmes rrugës së shkurtër të arritjeve pa meritë.
Presidenti inkurajoi studentët të ndjekin shembuj motivues.
Presidenti i Republikës përgëzoi të rinjtë që kanë zgjedhur të qëndrojnë e të studiojnë në Shqipëri, ndërsa vlerësoi si detyrim të autoriteteve shtetërore plotësimin e kushteve të jetës universitare, si dhe garantimin e tregut të punës.
“Ju jeni brezi që do të ndërtojë Shqipërinë e të nesërmes, një Shqipëri të zhvilluar, të qëndrueshme e të fortë, dhe së shpejti anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë, por jam i bindur se me përkushtim, punë të palodhur dhe dashuri për dijen, mund të arrini çdo gjë që dëshironi. Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por vlera më e madhe e këtij potenciali jeni ju, rinia e saj. Suksesi juaj është suksesi i Shqipërisë dhe së bashku duhet të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, – u shpreh, ndër të tjera, Presidenti Begaj, i cili, duke iu referuar avancimit të pandalshëm të teknologjisë, theksoi se të rinjtë shqiptarë duhet të përgatiten për sfidat e të ardhmes duke thelluar njohuritë dhe përvetësimin e aftësive të reja.
Presidenti i Republikës inkurajoi studentët të fokusohen në jetën universitare dhe të kërkojnë çdo të drejtë që u përket.
Gjithashtu, Presidenti u kërkoi drejtuesve të universiteteve dhe pedagogëve të jenë udhërrëfyes dhe frymëzues për të rinjtë përmes promovimit të lirisë akademike, investimeve në kërkimin shkencor dhe rritjes së cilësisë së edukimit, një nga elementët thelbësorë për rininë shqiptare.