Protesta e paralajmëruar nga Partia Demokratike ka nisur rreth orës 18:40. Protestuesit janë mbledhur në sheshin përpara godinës së Këshillit të Ministrave, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku dhe nisën përplasjen me trupën policore të vendosur para godinës së Këshillit të Ministrave, teksa kapsolla dhe molotovë u hodhën drejt murit të kryeministrisë. Policia e Shtetit përmes thirrjeve të shumta u kanë bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë.
Protesta është thirrur nga Partia Demokratike si reagim pas dënimit me 1 vit burg të nënkryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, i cili u shpall fajtor nga gjykata për “Kallëzim të rremë” lidhur me dosjen “Babalja”.
Protesta e thirrur nga Partia Demokratike, e mbështetur edhe nga Partia e Lirisë, ashtu siç ishte paralajmëruar nuk pati deklarate. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur më herët se mosbindja civile vjen si përgjigjja e vetme që i ka mbetur opozitës.
Mbështetësit e Partisë Demokratike fillimisht u mblodhën në selinë blu për të vijuar më tej në sheshin përballë kryeministrisë. Vetë Berisha është në “Arrest shtëpie”, pasi rezulton i pandehur në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Ndërkohë marshimi i protestuesve u udhëhoq nga Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD; Luçiano Boçi, nënkryetar i Partisë Demokratike; Gazment Bardhi, kryetar i grupit të PD; nënkryetari i Kuvendit, deputeti Agron Gjekmarkaj, si dhe deputetët Oerd Bylykbashi, Edi Paloka etj.
Ndërkohë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u nis nga selia e partisë së tij, në zonën e ish-Bllokut, për të mbërritur në zonën ku po zhvillohet protesta.
Protesta është parashikuar nga organizatorët të zgjasë katër orë. Ndërkohë, para pak nisjes së saj është djegur dhe një gomë në afërsi të presidencës, por flakët janë fikur menjëherë nga Policia.
Policia e Shtetit, prej mëngjesit të së hënës, ka njoftuar masat e ndërmarra për të ruajtur rendin dhe sigurinë, përpara, gjatë dhe pas protestës. Po ashtu, Policia e Shtetit ka njoftuar bllokimin e disa akseve rrugore, ndërsa një kordon i forcave të rendit është vendosur përpara kryeministrisë, duke krijuar një distancë sigurie mes protestuesve dhe godinës së Këshillit të Ministrave. Po ashtu, forca policore janë vendosure dhe tek godina e seancave plenare të Kuvendit, po ashtu tek Kryesia e Kuvendit, Ministria e Brendshme, Bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera të rëndësisë së lartë, ku protestuesit mund të kalojnë.
(vijon…)