Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot se përshkallëzimi i protestës qytetare është e vetmja rrugë për të rivendosur shtetin ligjor.
Duke folur për protestën e mbrëmshme të opozitës, në një konferencë për mediet, Meta tha se “ngritja e qytetarëve dhe përshkallëzimi i domosdoshëm i protestës qytetare dhe përballja pa kthim dhe me çdo çmim me narkoshtetin është tanimë e vetmja rrugë dhe alternativë që ka mbetur për të rivendosur shtetin ligjor dhe llogaridhënien, për të mbrojtur dhe garantuar rikthimin e pluralizimit politik, të demokracisë dhe njëkohësisht sigurinë e familjeve shqiptare”.
Meta gjithashtu akuzoi Policinë se përdori gazin lotsjellës në mënyrë joproporcionale.
“Përdorimi kriminal dhe jo proporcional i dhunës, i gazit lotsjellës deri tek fëmijët dhe të moshuarit, si dhe arrestimet e paligjshme provuan se Policia e Shtetit është shndërruar në Policinë e narkopushtetit, që ka humbur jo vetëm besimin, por edhe misionin për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve”, u shpreh ai.
Kreu i PL foli edhe për pensionet duke u shprehur se Partia e Lirisë kur të jetë në pushtet do të dyfishojë pensionet, duke i çuar ato në nivelet e vendeve fqinje.
“Dyfishimi i pensioneve, për të arritur në mesataren e rajonit është një nga 5 Prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë. Ne në qeverisje do të bëjmë të mundur indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë. Po kështu, duke garantuar indeksimin e shpeshtë brenda vitit të masës së pensioneve në rastet e krizave apo pandemive për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve”, theksoi Meta.
Meta u shpreh se, “do të garantojmë rritjen e pensioneve me nivelin e rritjes reale ekonomike për ta bërë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse”.