Policia e Kosovës ka njoftuar mbrëmjen e sotshme për shkeljen e Marrëveshjes për menaxhim e integruar të kufirit nga pala serbe në pikën kufitare në Merdarë sot.
“Më datë 14.10.2024, rreth orës 18:20, tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdar është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohej të jetë e xhandarmërisë serbe! Sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin 4 (katër) pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 (dhjetë) minuta tek hyrja e objektit te pala serbe”, njofton policia.
Policia ka thënë se largimi i tyre, duke shkelur vijën ndarëse kufitare ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror.
“Policia e Kosovës kërkon nga autoritetet relevante ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve qe ndërlidhen me menaxhimin e integruar kufitar dhe me sigurinë në përgjithësi”, vazhdon njoftimi.
Eksperti i sigurisë, z. Agim Musliu, në një postim në X (Twitter), theksoi se ngjarja ishte paralajmëruar nga kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, gjatë samitit të Procesit të Berlinit, ku ai shprehu pritshmëritë për provokime nga Kurti. Ndërsa në mbrëmjen e të njëjtës ditë, një automjet i xhandarmërisë serbe kaloi kufirin Kosovë-Serbi, duke shkelur marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).
Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vuri në dukje të shtunën në mbrëmje për afrim të trupave ushtarake rreth 50 metra afër vijës kufitare në komunën e Kamenicës, në lindje të Kosovës, ndërsa Beogradi tha të dielën se trupat vepruan brenda zonës tokësore të sigurisë dhe në pajtim me marrëveshjet ndërkombëtare.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, kryeministri Kurti publikoi disa fotografi të forcave serbe duke e cilësuar provokim lëvizjen e trupave afër kufirit.
“Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”, shkroi kryeministri Kurti, duke nënvizuar se qeveria e Kosovës “ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”.
Por Ministria serbe e Mbrojtjes tha se pohimet e kryeministrit Kurti janë “vazhdimësi e fushatës dezinformuese kundër Forcave të Armatosura të Serbisë dhe forcave të sigurisë” së Serbisë.
Sipas kësaj ministrie “postimi në rrjetet sociale tregon se pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë në Zonën e Sigurisë Tokësore kryejnë detyra të rregullta për sigurimin e vijës administrative dhe kontrollin e zonës së sigurisë tokësore, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”.
Ministria serbe tha se trupat e saj “kanë penguar veprimtaritë e paligjshme të prerjes dhe bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”.
Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rreth 350 kilometra e gjatë dhe patrullohet nga forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe në afërsi edhe nga forcat e policisë së Kosovës.
Ky incident tregon sërish për situatën e brishtë mes dy vendeve dhe thekson se Serbia po vepron në mënyrë provokuese ndaj Kosovës.
/Argumentum.al