Një përplasje e ashpër ka ndodhur mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe efektivëve të FNSH në oborrin e Kuvendit. Pasi militantët që po protestonin në Bashkinë e Tiranës iu afruan hyrjes së Kuvendit, FNSH u fut në oborrin e Kuvendit dhe këtu nisi përplasja fizike.
Deputetët demokratë pretendojnë se një efektiv i FNSH i ka nxjerrë armën Bledion Nallbatit dhe Luan Baçit. Report Tv dhe Shqiptarja.com sollën edhe videon e momentit si nisi përplasja. Sa i takon efektivit për të cilin PD pretendon se ka nxjerrë armën, në video dallohet qartë se si dy deputetët e sulmojnë fizikisht, i heqin kapelën dhe tentojnë t’i marrin skafandrën mbrojtëse.
Instinktivisht për t’u mbrojtur, efektivi dallohet teksa vë dorën në anën e djathtë të tij dhe pikërisht për këtë moment deputetët demokratë pretendojnë se ka nxjerrë armën.
“I drejton armën dy deputetëve të Shqipërisë, Bledion Nallbatit dhe Luan Baçit. Kërcënojnë me armë deputetët e opozitës brenda ambienteve të tyre të punës”, tha Bardhi.
Por, në një video të publikuar më vonë, Policia e Shtetit hedh poshtë pretendimin e Partisë Demokratike, duke thënë se efektivi i FNSH, sipas ligjit për tubimin, nuk ka qenë i armatosur në protestë. Në videon e publikuar nga policia dallohet qartë se efektivi mban në anën e djathtë një spraj piper për t’u mbrojtur.
“Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnjë punonjës policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome. Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit”, deklaroi policia.
Policia thotë se do të kallëzojë deputetët që dhunuan efektivët, nga ana tjetër PD ka paralajmëruar kallëzim në SPAK.
“Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori”, njoftoi Policia e Shtetit.
“Grupi Parlamentar i PD do bëjë kallëzim penal në SPAK për Kryetaren e Kuvendit, Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e Policisë së Tiranës, disa punonjës të paidentifikuar policie: U futën persona ta armatosur në Kuvend, kanosën me armë deputetët”, njoftoi PD.
E pikërisht, futja e FNSH në oborrin e Kuvendit nxiti një konflikt kompetencash mes Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit.
Gazment Bardhi, kryetar i Grupit të PD-së, ka dërguar një letër kryeparlamentares, Elisa Spiropali, në lidhje me incidentin e ndodhur këtë të enjte gjatë seancës plenare.
Në letrën e tij, Bardhi shpreh shqetësimin për futjen e forcave speciale të Policisë së Shtetit në Kuvend, duke e cilësuar këtë veprim si një shkelje të rregullores dhe ligjeve në fuqi.
Në letrën e tij, ai e quan këtë situatë një “puç kushtetues” dhe një provokim të paprecedent ndaj opozitës, duke theksuar se kurrë më parë në historinë e parlamentarizmit shqiptar nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Letra e plotë:
“Më datë 17.10.2024 gjatë zhvillimit të seancës plenare, në kundërshtim flagrant me nenin 122 të Rregullores së Kuvendit dhe ligjin për Policinë e Shtetit, Forcat Speciale të Policisë së Shtetit kanë dhunuar, penguar dhe kanosur me jetë deputetët e opozitës brenda mjediseve të Kuvendit të Shqipërisë. Është dashur ndërhyrja e Gardës së Republikës (punonjësve të Shërbimit të Sigurisë së Kuvendit) për të mbrojtur deputetët nga agresioni brenda mjediseve të Kuvendit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Futja e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit brenda mjediseve të Kuvendit, gjatë aktivitetit parlamentar, pengimi i deputetëve për të lëvizur në ambientet e Kuvendit prej tyre, kanosja me jetë e deputetëve të opozitës dhe cenimi i integritetit të tyre fizik, është një akti i paprecedentë në funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë. Kurrë në historinë e parlamentarizimit në Shqipëri, një Kryetar Kuvendi nuk ka lejuar futjen e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë. Kurrë në historinë e parlamentarizmit në Shqipëri nuk ka ndodhur që Forcat Speciale të Policisë së Shtetit të pengojnë një deputet të Kuvendit brenda mjediseve të tij.
Futja e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit gjatë një aktiviteti parlamentar është një puç i rëndë kushtetues ndaj vetë Kuvendit të Shqipërisë dhe një provokim i pandodhur kurrë më parë ndaj opozitës. Për këtë arsye, kërkojmë të na:
– Informoni menjëherë se kush ishte autoriteti që dha urdhrin për futjen e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë?
– Vini në dispozicion kamerat e sigurisë të të gjitha ambienteve të brendshme dhe të jashtme të Kuvendit të Shqipërisë (përfshirë por pa u kufizuar: sallës plenare, korridoreve lidhëse të sallës plenare, hyrjes kryesore të Kuvendit, ambinteve të jashtme të oborrit të Kuvendit të Shqipërisë).
Duke dënuar me forcë aktin brutal, të paprecedentë, të hakërrimit të Policisë së Shtetit ndaj deputetëve të opozitës në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë, ju siguroj se ju personalisht dhe cilido tjetër që në mënyrë arbitrare urdhëroni Forcat Speciale të Policisë së Shtetit të dhunojnë deputetët e opozitës, do të mbaheni përgjegjës për këtë shkelje të rëndë ligjore, që ka tiparet e një puçi kushtetues ndaj integritetit të Kuvendit të Shqipërisë.”
Dinamika e përplasjes
Gjithçka nisi pas përfundimit të seancës plenare, ku të përjashtuarit nuk u lejuan të futen në sallë. Më pas militantët e PD që po protestonin te Bashkia e Tiranës u zhvendosën para hyrjes së Kuvendit. Aty protestuesit i përplasën me policinë duke tentuar të hapin derën për t’u futur në Kuvend. Nga ana tjetër, FNSH u fut nga pjesa e pasme e Kuvendit, ndërkohë që brenda në oborr ishin ende deputetët e opozitës. Pas përplasjeve të ashpra, FNSH u largua nga ambientet e jashtme të Kuvendit edhe pas ndërhyrjeve të Gardës./shqiptarja/