Presidenti i Republikës, Bajram Begaj nisi sot një vizitë në Itali me ftesë të presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella.
Presidenti Begaj bashkë me homologun italian Mattarella do të vizitojnë Horën e Arbëreshëve.
Në axhendën e Kreut të Shtetit janë parashikuar një seri takimesh me autoritetet italiane rajonale dhe arbëreshët në Sicili.
Hora e Arbëreshëve, një komunë që gjendet në Siçili, u themelua më 30 gusht të vitit 1488, nga një grup shqiptarësh të larguar nga trojet e tyre. Thuhet se shumë prej anëtarëve të parë të kësaj bashkësie ishin nga zona e Himarës.
Hora e Arbëreshëve me 6427 banorë, njihet si kryeqytet i arbëreshëve, një nga bashkësitë më të mëdha te komuniteteve historike shqiptare të Italisë, qendra më e rëndësishme dhe më e populluar e arbëreshëve të Sicilisë, ku ndodhet selia e peshkopit të Kishës Bizantine Italo-Shqiptare në Sicili, Eparkia (ose Eparhia) e Horës së Arbëreshëve.
Hora e Arbëreshëve ndodhet në këmbët e një mali të lartë, 24 km larg nga Palermo. Ajo ka ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin). Banorët janë pasardhës të familjeve shqiptare, duke përfshirë edhe fisnikët dhe të afërmit e Skënderbeut, që u vendosën në Italinë e Jugut gjatë pushtimeve të Perandorisë Osmane në Ballkan. Identiteti arbëror i Horës së Arbëreshëve është i fortë, në fakt gjuha arbëreshe flitet nga tërë bashkësia dhe përdoret në gazeta, shkolla dhe radio.
Bashkia përdor në dokumentet zyrtare dygjuhësore gjuhën shqipe dhe italiane për banorët e saj, në bazë të ligjit ekzistues për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali.