Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi sot një vizitë të përbashkët me presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, në Horën e Arbëreshëve, në një ditë dhe ngjarje historike për komunitetin arbëresh që jeton në rajonin e Sicilisë.
Pas pritjes së ngrohtë të rezervuar nga banorët dhe autoritetet drejtuese, të dy presidentët, Begaj dhe Mattarella, vizituan Muzeun e Kulturës Arbëreshe “MusArb”, dhe Katedralen e San Demetrio Megalomartire (Shën Mitri Dëshmor i Madh).
Presidenti Begaj i shprehu falënderime homologut italian Mattarella dhe komunitetit të rajonit të Sicilisë për këtë pritje, ndërsa ndau me të pranishmit gjatë takimit emocionet për vizitën e tij të parë në Piana degli Albanesi.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Republikës vlerësoi komunitetin arbëresh si themel mbi të cilin janë ngritur marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe Italisë, ndërsa Horën Arbëreshe e cilësoi si një thesar që dëshmon për forcën e kulturës dhe përkushtimin e një populli ndaj rrënjëve të tij.
“Arbëreshët janë shembulli që tregon se mund të ruash me krenari traditat dhe rrënjët, ndërkohë që bëhesh pjesë aktive dhe kontributore e shoqërisë ku jeton. Hora e Arbëreshëve, ky qytet simbolik për kulturën dhe trashëgiminë arbëreshe, është një thesar që dëshmon për forcën e kulturës dhe përkushtimin e një populli ndaj rrënjëve të tij”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit nderoi figurat e rëndësishme të arbëreshëve të Sicilisë ndër shekuj për kontributin në Rilindjen Kombëtare, përpjekjet për pavarësi dhe në lëvizjet për bashkimin e Italisë.
Presidenti Begaj vlerësoi vazhdimësinë e përpjekjeve të arbëreshëve edhe në ditët e sotme si pjesë e rëndësishme e miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë, duke ndihmuar që vendet tona të qëndrojnë gjithnjë të lidhura.
“Miqësia midis Shqipërisë dhe Italisë është më shumë se një marrëdhënie diplomatike, ajo është një lidhje e thellë, e përbashkët dhe shumë e qëndrueshme. Këto marrëdhënie kanë një thellësi bashkëpunimi që garanton qëndrueshmëri, parashikueshmëri dhe zhvillim të qëndrueshëm. Bashkëpunimi shtrihet në të gjitha fushat e aktivitetit politik, ekonomik, shoqëror e kulturor, të sigurisë dhe mbrojtjes si vende anëtare në NATO dhe, mbi të gjitha, të kontakteve dhe miqësisë mes njerëzve të thjeshtë”, – u shpreh Presidenti i Republikës.
Presidenti Begaj i përcolli presidentit italian Mattarella një mirënjohje të veçantë për përkushtimin në mbështetjen e Shqipërisë, ndërsa komunitetin arbëresh e këshilloi që të vazhdojë në gjurmët e etërve për të ruajtur e promovuar gjuhën dhe traditat.
Begaj u shpreh se kujdesi ndaj arbëreshëve është detyrë e të gjithëve. “Duhet të punojmë së bashku për të krijuar mundësi që arbëreshët të vazhdojnë të jetojnë e të punojnë mirë, duke ruajtur traditat e tyre, por duke përfituar edhe nga moderniteti dhe zhvillimi”, u shpreh Kreu i Shtetit.