Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, paralajmëroi sot se rreziku i përhapjes së sulmeve të Izraelit në gjithë rajonin “nuk duhet të nënvlerësohet asnjëherë”, raporton Anadolu.
“Nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë rreziku i përhapjes së luftës në gjithë rajonin. Ne jemi në mes të tensioneve që mund të kenë pasoja serioze globalisht”, tha Fidan në një konferencë shtypi në Istanbul me homologun e tij iranian Abbas Araghchi, i cili ndodhet në një vizitë dyditore në Türkiye që filloi të premten.
Fidan tha se në takimin e së premtes me delegatët e Hamasit u diskutuan përpjekjet për të ofruar më shumë ndihmë humanitare për banorët e Gazës dhe për të krijuar mobilizim ndërkombëtar. “Ne e konsiderojmë pajtimin e brendshëm palestinez si shumë të rëndësishëm dhe strategjik”, shtoi ai.
Fidan u takua me anëtarët e byrosë politike të Hamasit dhe diskutoi zhvillimet e fundit në negociatat për një marrëveshje armëpushimi në Gaza që do të mundësonte shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve.
Izraeli ka vrarë më shumë se 42.500 palestinezë në Gaza që nga tetori i vitit të kaluar 2023. Fushata ushtarake izraelite e ka kthyer pjesën më të madhe të enklavës me 2,3 milionë banorë në gërmadha, duke lënë shumicën e civilëve të pastrehë dhe në rrezik nga uria.
Izraeli gjithashtu po kryen sulme ajrore dhe tokësore edhe në Liban.