Brukseli është pozicionuar kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Shqipëri, pasi opozita sipas tyre dogji qëllimisht mandatet. Zëdhënësja e shefes për Politikën e Jashtme të BE-së, Maja Kocijancic ka reaguar pas anulimit të zgjedhjeve nga Presidenti Ilir Meta duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta në mënyrë që qytetarët të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.
Maja Kocijancic shprehet qartë se duhet të garantohet e drejta e shqiptarëve për të votuar, ndërsa kërkon nga palët politike që të angazhohen urgjentisht për dialog për të kapërcyer krizën. Përfaqësuesja e Brukselit ripërsërit se largimi i opozitës ishte i qëllimshëm, ndërsa tashmë parlamenti është funksional, pasi të larguarit janë zëvendësuar.
“Ne po ndjekim zhvillimet. Kjo është një çështje që institucionet shqiptare duhet ta trajtojnë në përputhje me legjislacionin dhe jurisprudencën ekzistuese, në respekt të plotë të parimeve kushtetuese dhe demokratike.
Siç është thënë tashmë, ne konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale pengon funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Kjo ka qenë një zgjedhje e qëllimshme e partive opozitare. Përfaqësuesit e opozitës janë zëvendësuar në Parlament, i cili funksionon plotësisht.
Tani është thelbësore që të garantohet e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet lokale dhe për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes lokale. Ne përsërisim thirrjen tonë nga të gjitha palët që të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike”,shprehet zëdhënësja e shefes për Politikën e Jashtme të BE-së, Maja Kocijancic
Deklarata e Brukselit kundër Presidentit vjen pas vendimit të Ilir Metës për të anuluar zgjedhjet lokale të 30 Qershorit deri në një afat të pacaktuar, sipas tij, nisur nga kriza politike në vend. Por shumica e kundërshton duke deklaruar prerë se zgjedhjet do të bëhen në 30 Qershor, ndërsa ka nisur procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit për shkelje të Kushtetutës.