Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi reagoi sot një ditë pas arrestimit të ish-bashkëshortit të saj, Ilir Meta dhe caktimit të masës “detyrim paraqitjeje” për atë vetë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në një konferencë për mediet nga Kryesia e Kuvendit, Kryemadhi shprehu indinjatën pas deklaratës së SPAK, që siç u shpreh ajo, e kishte menduar se duhet të ishin korrekt në marrëdhëniet që kanë të bëjnë me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin.
“Jam këtu si Kryemadhi dhe jo si ish-bashkëshortja e Metës”, u shpreh ajo në nisje të konferencës.
“Janë thirrur qindra njerëz familjarë dhe bashkëpunëtorë të mi. Janë rrëmbyer janë zhveshur, të huaj dhe shqiptarë, janë intimiduar janë kërcënuar madje i është kërkuar që të bëjnë edhe deklarime të rreme. Deklarata e djeshme e SPAK ku fliste për pastrimin e parave, operacionit të Monika Kryemadhit ka cenuar sekretin hetimor. Ndihem shumë e fyer që SPAK gënjen në deklaratën kur thotë 106 mijë euro”, u shpreh Kryemadhi.
“Në moshën 6 vjeç fëmija im është operuar dhe mjekët i kanë dhënë një javë jetë nëse nuk bëhej ndërhyrja. Ka bërë edhe dy ndërhyrje të tjera. Ka bërë edhe Ilir Meta një operacion shëndetësor në vitin 2013 që nuk e ka paguar Ilir Meta, por e kam paguar unë dhe Meta nuk e di. Ilir Meta nuk ka paguar në jetën e vet as një shishe ujë. Kam paguar unë çdo gjë dhe çdo transaksion në shkollat e fëmijëve të mi, kam paguar unë dritat dhe ujin. Edhe rrogën e Ilir Metës e kam marrë unë në bankë. Ilir Meta është marrë vetëm me politikë”, u shpreh ajo.
Kryemadhi thotë se e gjithë deklarata dje e SPAK prej 167 faqesh, ishte me qëllim politik.
Ajo e quajti masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si proces politik, pas denoncimit të saj për inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.
“Deklarata dje ka pasur qëllim politik dhe kjo gjë kalon cakun e komunikimit normal timin dhe ata që bëhen palë me këtë farsë imorale. Akuzojnë mamanë time se ka blerë një shtëpi 305 mijë euro. Po, e ka blerë! Ka qenë mjeke, ka pasur dy mandate në Gjykatën e Lartë, ka qenë 13 vjet në një zyrë me Valentina Leskajn. Ata sot janë milionerë, si mundet mamaja ime të mos blejë dot një apartament. Ekipi im i avokatëve do të merret seriozisht me këtë gjë, unë do merrem politikisht. Dua vetëm t’ju them se Monika dhe Iliri i kanë arritur gjërat vetë, nuk kanë shitur as shpirtin, as mendjen, për të qenë xhelatët e një grupi të strukturuar kriminal”, shtoi Kryemadhi.
Deputetja e Partisë së Lirisë thekson se do e respektojë vendimin e SPAK për detyrim paraqitjeje.
“Do respektoj vendimin për detyrim paraqitje, pasi beteja nuk është te forca, por te argumenti”, tha Kryemadhi./ATA