Kryeministri Edi Rama në përmbyllje të fjalës së tij me shqiptarët në Nju Jork kërkoi votën e diasporës për një Shqipëri krenare dhe jo kokulur.
Kreu i qeverisë, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh se “në Shqipëri kemi vendosur një gur themeli për një shtëpi krenare për brezat që vijnë”.
“Dua të them edhe dy fjalë lidhur me çfarë thuhet në Shqipëri: “Jo Edi Rama nuk mundet me votë, jo ne duhet të dalim në rrugë””, u shpreh Rama.
“Unë besoj shumë se çdo shqiptar që vepron me logjikën e vet, jo me tifozllëk, jo me çfarë i thotë partia, krushqia, historia e lexuar gabim, e ka shumë të qartë që kjo përpjekje nuk është përpjekja personale e imja, por e një partie. Kjo është një përpjekje e shqiptarëve për ta nxjerrë përfundimisht Shqipërinë nga errësira e historisë dhe nga të gjitha hijet e paragjykimeve dhe të nënvlerësimeve nga të huajt. Ne gjithmonë na kanë parë si emigrantë pa letra në Europë, na kanë trajtuar si një vend ku nuk ka arsye për të pasur respekt, dhe nga ana tjetër, na është dashur shumë përpjekje që të fillojmë ta nxjerrim Shqipërinë në dritën që meriton, dhe për mua kryesorja është se në fund të ditës të gjitha do të kërkojnë kohën e tyre”, deklaroi Kryeministri.
“Ne, shqiptarët, pavarësisht bindjeve, simpative, vendit ku jetojmë, nuk duhet ta negociojmë, po ta vendosim midis nesh dhe çdo të huaji që kemi përballë krenarinë për Shqipërinë. Duhet ta bëjmë kartëvizitën e vendit tonë, të shtetit tonë dhe çdokujt që ka një pasaportë shqiptare apo pasaportë amerikane, ku thuhet kombësia ime është shqiptar. Duke vendosur këtë si kushtin e panegociueshëm me çdo fqinj që na sheh nga larg, ne kemi vendosur gurin e themelit për një shtëpi krenare dhe të sigurt për të gjithë brezat që vijnë”, u shpreh Rama.
Sipas Ramës çdo rrugë tjetër, të çon tek rruga e të qëndruarit me kokën ulur.
“Kjo nuk është çështje me fiton ky, apo fiton ai, çështje me Shqipërinë krenare apo Shqipërinë kokulur dhe unë besoj se Shqipëria krenare është aspirata e çdo shqiptari që flamurin kuqezi e ka në zemër edhe kur s’e ka në shtëpi, dhe që Shqipërinë dhe emrin shqiptar ka dëshirën që jo vetëm ta thotë me forcë, por edhe tua lërë fëmijëve të vet si emër për të cilin çdo fëmijë i këtij vendi duhet të jetë krenar. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu, dhe pse unë besoj që shumica e shqiptarëve do të vazhdojë të shkojë në këtë rrugë. Çdo rrugë tjetër është rruga e të qëndruarit me kokën ulur”, tha Rama.