Boshko Jakshiç
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka një problem. Problem serioz. Forcat ruse përparojnë në të gjithë linjat e fronit prej 1.000 kilometër të gjatë. Po afrohet dimri, dhe pak a shumë gjysma e infrastrukturës ukrainase është e shkatërruar. Mbi të gjitha, plani i tij, tejet ambicioz, nuk ka mbështetjen që ai priste nga aleatët.
Rusia kontrollon pothuajse një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë edhe Krimenë, që është anketuar në vitin 2014, 60 përqind e rajonit të Donjeckut dhe Luganskos në Donbas, të cilat janë qendra të prodhimit të qymygyrit dhe çelikut, dhe rreth 70 përqind të Zaporozhjes dhe Hersonit. Sulmi spektakolar në zonën e Kurskut ishte kontribut në moralin e ushtrisë ukrainase gjithnjë e më të cfilitur, por rusët rimorën gjysmën e territorit në të cilin, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, gjenden trupa të huaja ushtarake.
Presidenti ukrainas, edhe përkundër një situatë të tillë në fronte, promovon planin e tij të fitores prej pesë pikash, nga të cilët njëri parashikon hyrjen urgjente të Ukrainës në NATO. Pastaj pason vendosja e “pozitave të fuqisë” me të cilën Ukraina do ta “detyronte” Vladimir Putinin të pranonte një “paqe të drejtë” në mënyrë që lufta të përfundojë në vitin 2025. Për këtë ai e ka të domosdoshme miratimin e Perëndimit që me armët e tij të qëllojë në thellësi të territorit rus, fabrikat e armëve, depot e municionit dhe linjat e furnizimit, gjithça që rusëve u mundëson dominimin ushtarak.
Perëndimi vazhdon ta mbështesë ushtarakisht dhe financiarisht Kievin, por është më se i përmbajtur në lidhje me dy kërkesa. Pranimi në NATO as nuk merret në konsideratë sepse aleatët transatlantikë nuk duan të kenë në gjirin e tyre një anëtar që është në luftë, gjë e cila, sipas Kartës së NATO-s, do t’i detyronte t’a mbrojnë në mënyrë direkte dhe të hyjnë në një konflikt të hapur me njërën prej dy fuqive më të mëdha bërthamore. Leja për përdorimin e raketave perëndimore për sulme në territorin rus gjithashtu është pak e besueshme meqënëse Putini shpalli se e ka modernizuar doktrinën bërthamore, e cila lejon përdorimin e armatimit bërthamor kundër një shteti jobërthamor që sulmon Rusinë me ndihmën e fuqive bërthamore. Është më se e qartë se kjo ka të bëjë me Ukrainën, e cila mund të përdorë raktetat amerikane, britanike dhe franceze. Ndoshta Zelenski mendon se ky është një bllof i Putinit, por gjithsesi liderët perëndimorë nuk janë të gatshëm të luajnë ruletën ruse.
Administrata amerikane, e cila deri tani ka treguar se plotëson vetëm pjesërisht kërkesat e Zelenskit, por edhe pas vizitës së paradokohëshme të Bajdenit në Gjermani, e fundit e tij në Europë me cilësinë e shefit të Shtëpisë së Bardhë, Zelenski nuk mund të thotë se e fitoi mbështetjen për planin e tij të fitores. Gjithçka do të varet nga rezultatet e zgjedhjeve amerikane me 5 nëntor. Nëse fiton Trampi, nuk ka asgjë nga plani.
Çfarë i mbetet atëherë Zelenskit? Të pranojë bisedimet paqesore nëpërmjet të cilave të përpiqet të shpëtojë shumicën e territoreve, por jo të gjitha tokat ukrainase? Politikanët perëndimorë të përballur me luftën cfilitëse dhe të shtrenjtë nga njëra anë, dhe me pakënaqësinë në rritje të banorëve të vendeve të tyre, të cilët më me dëshirë duan të shohin që liderët e tyre luftojnë me inflacionin se të ndihmojnë Ukrainën, gjithnjë e më shumë po mbështesin këtë obsion. Ukraina “duhet të jetë realiste” dhe ta kuptojë se “fundi më i mundshëm i luftës mund të jetë që një pjesë e territorit ukrainas të mbetet në pushtimin rus, përkohësisht”, rekomandon haptazi presidenti çek Peter Pavel.
Mbi Ukrainën u fol edhe në samitin e Briks-it, grupimi të cilin Rusia dhe Kina e përjetojnë se shans gjeopolitik për të eleminuar hegjemoninë politike dhe atë të dollarit amerikan, ndërsa vende si puna e Indisë dhe Brazilit e marrin në konsideratë më shumë nën prizmin e bashkëpunimit ekonomik. Kina sëbashku me Brazilin ofroi një plan paqeje, të cilin Putini e pranon se bazë për bisedime, por Kievi dhe Perëndimi e injorojnë, megjithëse Pekini përpiqet me të gjitha mënyrat të paraqitet si palë asnjanëse në luftë. Kryeministri indian u përcolli Putinit ftesat europiane për paqe.
Shefi i Kremlinit është i gatshëm të rikthejë pjesë të territoreve të pushtuara të vendit, por jo katër zonat lindore të cilat shpallën të parat në mënyrë të njëanshme pavarësinë, e më pas u futën në Kushtetutën e Federatës Ruse. Zelenski vazhdon të përsërisë se nuk do të ketë paqe derisa ushtria ruse të mos tërhiqet nga çdo pëllëmbë të territorit ukrainas.
Perspektivat për paqe kësisoj janë shumë të dobëta, por nëse këmbëngul me kokëfortësi te plani i fitores, Zelenski rrezikon të hyjë në plejadën e atyre që Perëndimi i mbështeti, i financoi dhe i armatosi dhe më pas – i flaku tutje.