Grupi i armatosur libanez Hezbollah, tha të martën se kishte zgjedhur nënkryetarin Naim Qassem për të pasuar sekretarin e përgjithshëm Hassan Nasrallah, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në periferinë jugore të Bejrutit më shumë se një muaj më parë.
Grupi tha në një deklaratë me shkrim se Këshilli i tij Shura, zgjodhi Qassemin, 71 vjeç, në përputhje me mekanizmin e tij për zgjedhjen e një sekretari të përgjithshëm.
Ai u emërua si zëvendës shef i Hezbollahut në vitin 1991 nga sekretari i përgjithshëm i atëhershëm i grupit të armatosur, Abbas al-Musawi, i cili u vra nga një sulm izraelit me helikopter një vit më vonë.
Qassem mbeti në rolin e tij kur Nasrallahu u bë udhëheqës dhe ka qenë prej kohësh një nga zëdhënësit kryesorë të Hezbollahut, duke dhënë intervista për mediat e huaja.
Nasrallahu u vra më 27 shtator dhe personaliteti i lartë i Hezbollahut, Hashem Safieddine, që konsiderohej si pasuesi më i mundshëm, u vra në sulmet izraelite një javë më vonë.
Që nga vrasja e Nasrallahut, Qassemi ka bërë tri paraqitje televizive, duke përfshirë një me 8 tetor, në të cilën ai tha se grupi i armatosur mbështet përpjekjet për të arritur një armëpushim në Liban./VOA