Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali gjatë vizitës që po zhvillon në Vatikan mori pjesë edhe në shfaqjen e dokumentarit “Pritja”, nga Roland Sejko, me rastin e 10-vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.
Spiropali, në fjalën e saj nënvizoi se, Papa Françesku erdhi në Shqipëri, për të bekuar popullin e vuajtur, por të mbijetuar, për të vlerësuar dialogun ndërmjet besimeve, për t’u dhënë shpresë e besim popullit shqiptar.
Në 10-vjetorin e kësaj ngjarjeje të paharruar lindin emocione të forta, përmes dëshmive të rrugës së Shqipërisë nga errësira, drejt dritës.
Duke vlerësuar Kardinalin Ernest Simoni, pjesëmarrës në këtë aktivitet, i cili ka kaluar 28 vite në burgjet komuniste, Spiropali u shpreh se me mendje të kthjellët dhe shpirt në paqe, ai është, siç e ka quajtur Papa Françesku, një martir i gjallë i besimit dhe lirisë.
“Vatikan – 28 vite në burgjet komuniste. Sot 96 vjeç. Me mendje të kthjellët dhe shpirt në paqe, Kardinal Ernest Simoni është, siç e ka quajtur Papa Françesku, një martir i gjallë i besimit dhe lirisë. Në 10-vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, pamë së bashku shfaqjen e dokumentarit “Pritja”, nga Roland Sejko. Provuam emocionet e forta të asaj ngjarjeje të paharruar, përmes dëshmive të rrugës së Shqipërisë, nga errësira drejt dritës”, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.