Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi me anë të një shkrese drejtuar zyrtarisht Presidentit Bajram Begaj i kërkon një reagim në lidhje me pjesëmarrjen e trupit diplomatik në turin e diasporës.
“Sot i jam drejtuar zyrtarisht Presidentit që të ndërhyjë për të mos lejuar cenimin e rëndë të barazisë së palëve në zgjedhje dhe parimeve themelore që garantojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Presidenti nuk duhet të heshtë, por duhet të ngrihet në lartësinë e detyrës”, tha Bardhi në një postim në rrjetet sociale.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së u shpreh se “heshtja dhe mungesa e reagimit të Presidentit për veprimin kriminal të mazhorancës qeverisëse dhe trupit diplomatik, perceptohet si mesazh i qartë që ai e mbështet këtë aktivitet të paligjshëm, dhe mbi të gjitha mbështet shkrirjen në një të shtetit dhe partisë në zgjedhje”.
Po ashtu, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së tha se ka depozituar në SPAK kërkesën për hetimin dhe ndjekjen penale ndaj Edi Ramës, Taulant Ballës, Igli Hasanit dhe ambasadorëve të konstatuar.
“Po sot kam depozituar në SPAK edhe kërkesën për hetim dhe ndjekjen penale ndaj Edi Ramës, Taulant Ballës, Igli Hasanit, dhe ambasadorëve të konstatuar, për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 328/a të Kodit Penal”, tha Bardhi.
Një ditë më parë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi e ka cilësuar si shkelje të rëndë pjesëmarrjen e ambasadorëve të Shqipërisë në takimet që po mban kryeministri Edi Rama me diasporën, pasi sipas tij ato janë takime politike.