Në takimin e 18-të të Komisionit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri ishte sot i pranishëm edhe eurodeputeti i Demokracisë së Re, Fredi Beleri, ish-kryebashkiak i Himarës i cili u dënua me 2 vite burgim për blerjen e votave në zonën e Himarës në zgjedhjet vendore të 14 majit, 2023
Në fjalën e tij në greqisht, Beleri tha se “sa i përket situatës tani në Shqipëri, unë vij nga minoriteti dhe jeta ime është e ndarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kur u ktheva në Shqipëri në 2015 unë mendova se do të gjeja një demokraci të maturuar me kalimin e kohës, e cila do të kishte zhvilluar një lloj qëndrueshmërie, do të kishte tejkaluar elementet patogjenikë që ekzistonin në kohën e Enver Hoxhës”.
“Gjatë viteve të fundit fatkeqësisht unë kuptova që nuk ishte kështu. Në zonën time në Himarë qytetarët më nderuan duke më dhënë besimin e tyre, por fatkeqësisht me makinacione të ndryshme mua m’u mohuan të drejtat e mia politike për 16 muaj”, theksoi Beleri.
Belleri u shpreh se “Shqipëria e gjen veten në një procedurë terapeutike mundohet të përmirësojë situatën e vet, gjendjen e vet dhe mundohet të ndryshojë e të ecë përpara. Është koha që të lëmë mënjanë elementet egoistë nacionalistë”.
“Shqipëria dhe Edi Rama duhet të lënë mënjanë këtë gjendjen që ta ndjesh veten gjithmonë të persektuar për të parë pas shpatullave se kush po të ndjek gjithë kohës. Ka ardhur koha për të ndryshuar drejtim dhe të kuptojmë që ka ende shumë gjëra për Shqipërinë për të bërë”, nënvizoi Beleri.
Sa i përket sundimit të ligjit dhe zbatimit të parimeve europiane, Beleri theksoi se “është e rëndësishme të kuptojmë që reforma në drejtësi krijoi shpresa e optimizëm dhe pas 8 viteve mund të themi që ka dështuar plotësisht. Pse ka dështuar? Dështoi sepse me sistemin e vetingut drejtësia vendosi nën kontroll atë lloj pavarësie që kishte ekzistuar në origjinë në sistemin e drejtësisë dhe që ishte edhe qëllimi i reformës së drejtësisë”.
“Procesi i vetingut e minoi tërësisht reformën në drejtësi. Rasti i prokurorit që hapi çështjen kundër meje është një tregues i asaj që ka ndodhur “, tha Beleri. /ATA