E nisur prej orës 17:00 deputetët e Partisë Demokratike dhe të Partisë së Lirisë të mbështetur dhe nga grupe militantësh u vendosën në 6 rrethrrotullime kryesore të vendit për të bllokuar lëvizjen e automjeteve në akset nacionale.
Skenari, ishte pjesë e aksionit të mosbindjes civile, pas të cilit janë plotësimi i kërkesave për lirimin nga masa e ‘arresit shtëpiak’ të kreut të tyre Sali Berisha dhe qeveri teknike që do të çojë vendin në zgjedhjet e ardhshme.
Protesta u mbajtën në kryqëzime nevralgjike për vendin, si tek Kthesa e Kamzës, rrethrrotullimi i Milotit, rrethrrotullimi i Shkozetit, rrethrrotullimi i Bradasheshit, rrethrrotullimi Rrogozhinë dhe rrethrrotullimi Levan me qëllim bllokimin e lëvizjes së makinave dhe krijimin e trafikut. Por, plani i opozitës dështoi sepse policia kishte marrë masa për orientimin e shoferëve nëpër akse të tjera dytësore, raporton shqiptarja.com.
„Kjo protestë është dhe një lloj paralajmërimi. Nuk merret leje as ligjërisht. E keqja është në derë të gjithëve. Kemi bllokim për 3 orë,’ tha Edi Paloka nga rrethrrotullimi i Golemit.
Plani nisi me bllokimin e lëvizjes tek kthesa e Kamzës, jë nga portat hyrëse kryesore që lidh Tiranën me Shqipërinë e Veriut. Deputetët vunë në dispozicion makinat e tyre luksoze për të bllokuar rrugën. Kështu bëri dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së Flamur Noka i cili përdori Range Roverin për bllokadë, por qarkullimi ndaloi para se demokratët të nisnin protestën
Në disa momente, – pas dy orëve protestë- Flamur Noka dhe disa deputetë të PD-së u përpoqën të krijonin tension e përplasje me policinë e cila ishte afruar duke krijuar një kordon. Por në asnjë moment efektivët nuk ranë pre e kërcënimeve apo provokimeve të tyre.
“Po ua them këtu me shumë seriozitet, Surreli do jetë destinacioni dhe nuk do ketë narkopolici që do e mbrojë Surrelin nga revolta qytetare. Ne nuk tërhiqemi! ” tha Flamur Noka.
Tek Kthesa e Kamzës pati dhe djegie gomash dhe iu vu flaka disa koshave të mbeturinave.
Prosteta zgjati 3 orë dhe në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, duke bllokuar aksin Durrës- Fier që në orën 17:00. Policia bëri thirrje për lirimin e qarkullimit rrugor, por protestuesit nuk reaguan. Ndërkohë pati përplasje me qytetarë të cilët kërkonin që rruga të hapej.
Në Elbasan përfaqësues të opozitës nga Korça e Elbasani bllokuan rrethrrotullimin e Bradasheshit. Aksi nuk lejoi mundësinë policisë të devijojë trafikun në akse të tjera dhe kështu autostrada Tiranë – Elbasan dhe anasjelltas u bllokua duke krijuar trafik kilometrik në të dyja anët. Pas 2 orësh u desht ndërhyrja e FNSH-së e policisë së Elbasanit për të shpërndarë protestuesit.
Në rrethrrotullimin e Shkozetit protesta vijoji pa incidente me përjashtim të djegies së disa gomave. Për 3 orë u bllokua lëvizja e makinave në autostradën Tiranë – Durrës, ndërsa protesta u mbikqyr nga një numër i madh forcash policie.
Tek rrethrrotullimi i Milotit disa protestues zgjodhën të protestojnë duke u ulur në mes të rrugës, apo djegie të shkurreve apo dhe gomave. Pati dhe nga ata protestues që u ulën në mes të rrugës me shishe me raki, bukë e djath, për të bllokuar lëvizjen.
Edhe në rrethorrutullimin e Levanit protesta vijoi e qetë. Policia mori masa që makiant që vinin nga jugu të kaloni në një rrugë dytësore.
Bllokime të plota rrugësh dhe radhë kilometrike u reflektuan më problematike në Elbasan dhe në Tiranë, ku nuk bën pjesë rrugët dytësore që u policia i orientoi qytetarët e tjerë të bllokuar në 4 kryqëzimet e tjera.
Nga pamjet me dron të siguruara nga Report Tv tek Kthesa e Kamzës, pjesëmarrja nuk dukej e madhe. Edhe në Lezhë, gazetari i Report Tv informon se pjesëmarrja është më e vogël në krahasim me protestat e tjera. Autostrada Tiranë-Durrës e boshatisur dhe zonat e Astirit dhe Lapraka ishin imazhe që nuk shiheshin që në kohën e COVID.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi iu bashkua protestës së opozitës tek Kthesa e Kamzës, pikërisht në vendin ku u arrestua Ilir Meta. Këtij të fundit ia kushtoi prononcimin për mediat, duke thënë se Meta u rrëmbye në mënyrë terroriste. Blushi sulmoi edhe prokurorët duke i quajtur mercenarë dhe vrasës me pagesë të opozitarizmit dhe demokracisë.
Ndodhemi në një vend krimi, të shpallur të tillë me katin terrorist të rrëmbimit të Metës, nga një grup banditësh, në përbërje të së cilës ka patur elementë të lidhur me bandat kriminale të Durrësit dhe Shkodrës, tha Blushi.
E gjithë protesta u mbyll në orën 20:00, pa një orientim të qartë se kush do të jetë hapi i radhës, që sigurisht që do të konsultohet me kryetarin e PD-së që ndodhet në arrest shtëpie.
Bllokimi i akseve nga PD
Segmenti “Casa Italia – Sheshi Shqiponja”
Rrethrrotullimi Milot
Rrethrrotullimi Shkozet
Rrethrrotullimi Bradashesh
Rrethrrotullimi Rrogozhinë
Rrethrrotullimi Levan
Protestuesit u shpërndanë pa qenë e nevojshme ndërhyrja e policisë ndërsa demokratët përsëritën kërkesën
“Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Do tu njoftojmë për hapat e radhës, kthim pas nuk ka”, tha Noka.
Pas përfundimit të protestës, në Elbasan 21 protestues u shoqëruan në Komisariat pasi u bënë pjesë e bllokimit të aksit rrugor në rrethrrotullimin e Bradasheshit, ndërsa burime për Report Tv bëjnë me dije se në kryeqytet do të merren në hetim pronarët e makinave që bllokuan rrugën dhe paralizuan qarkullimin e makinave.
Grupet e xhirimit të Report Tv dhe Shqiptarja.com ishin të shpërndarë në të gjitha pikat ku u mbajt protesta për të përcjellë në kohë reale të gjitha zhvillimet. Report Tv dhe Shqiptarja.com ndoqën protestën në kohë reale me një transmetim maratonë për gjatë 3 orëve të saj.
Kjo është protesta e dytë e opozitës e organizuar brend tetorit në kuadër të asaj që e quan ‘mosbindja civile’ të nisura pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji, ndërsa më 20 tetor 2024 u arrestua dhe ndodhet në ‘arrest me burg’ kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për 3 akuza,mes tyre ajo e korrupsionit./shqiptarja-Argumentum.al