Në qytetin serb të Novi Sadit, 20 persona humbën jetën dhe dy të tjerë u shtruan në spital si pasojë e shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor, njoftoi Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç.
Stacioni u rinovua së fundmi, me punimet e përfunduara në korrik 2024, por kompania shtetërore, Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë, tha se tenda e shembur prej betoni dhe çeliku nuk ishte pjesë e rindërtimit të fundit.
Kryeministri serb Milo Vucevic tha se ishte “një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës të Novi Sadit, një tragjedi e tmerrshme”. Kjo është një e premte e zezë për ne, për të gjithë Serbinë, tha ai.
“Pavarësisht nga fakti se … u ndërtua në 1964, ne do të insistojmë që të gjenden përgjegjësit dhe që duhej të kujdeseshin për gjendjen e strukturës,” shtoi Vuçeviç.
Stacionet televizive lokale dokumentuan praninë e shërbimeve të urgjencës, ku personeli mjekësor po përgatiste barela për ndihmën e të lënduarve.
Në vendngjarje janë vendosur edhe fadroma të mëdhenj për të hequr rrënojat.
Ekipet e shpëtimit nga qytete të ndryshme po punojnë, ndërsa ka raportime se dy persona të tjerë janë ende nën rrënoja, por të gjallë.
Mediat lokale raportojnë se dhjetëra persona janë lënduar në incident.
Zyra e kryebashkiakut të Novi Sadit e konfirmoi incidentin, por nuk dha detaje mbi numrin e të lënduarve.
Pas ngjarjes, nisjet e trenave nga stacioni u ndaluan, duke shkaktuar ndërprerje në transportin hekurudhor rreth 70 kilometra në veriperëndim të Beogradit.
Në një fjalim televiziv nga kryeqyteti Beogradi, presidenti Aleksandar Vuçiq shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
“Një falënderim i madh për të gjithë njerëzit e mirë në Serbi që dhuruan gjak, që erdhën për të ndihmuar në shpëtimin e të lënduarve dhe të vrarëve dhe besoj se do të mund të nxjerrim një mësim nga kjo ditë e vështirë”, tha ai.
Kompania shtetërore hekurudhore e Serbisë, Železnice Srbije, tha se aksidenti ndodhi në orën 11:50.
Kompania tha se ndërtimi mbi hyrjen e stacionit nuk ishte pjesë e punës së fundit të rindërtimit që kishte ndodhur në ndërtesën e stacionit.
Stacioni thuhet se është rinovuar dy herë në vitet e fundit.