Udhëheqës nga e gjithë bota përgëzuan të mërkurën ish Presidentin Donald Trump, i cili është më afër fitores në zgjedhjet e së martës.
Kryeministri britanik Keir Starmer e uroi zotin Donald Trump, pak pasi kandidati republikan shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane.
“Mezi pres të punoj me ju në vitet në vijim”, tha kryeministri Starmer në një postim në rrjetin X të mërkurën.
“Unë e di se marrëdhënia e posaçme ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të përparojë në të dyja anët e Atlantikut për vitet në vijim”, shkroi ai.
Presidenti francez Emmanuel Macron uroi zotin Trump duke theksuar se është I gatshëm të punojë me të “ siç bëmë për katër vjet. Me bindjet tuaja dhe të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe begati”, shkroi ai në rrjetin X.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, duke e uruar Presidentin Trump, shkroi se “Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku me sukses për një kohë të gjatë për të nxitur përparimin dhe lirinë në të dyja anët e Atlantikut. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të mirën e qytetarëve tanë”.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha në urimin e saj për zotin Trump se Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një “aleancë të palëkundur”.
“Është një lidhje strategjike, të cilën jam e sigurt se tani do ta forcojmë edhe më tej”, shkroi ajo.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se e ka uruar zotin Trump pëe fitoren, duke theksuar se “udhëheqja e tij do të jetë përsëri thelbësore për të mbajtur të fortë aleancën tonë. Mezi pres të punoj përsëri me të për të avancuar paqen përmes NATO-s”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen uroi zotin Trump duke shtuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë “më shumë se thjesht aleatë”.
“Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë mes njerëzve tanë, duke bashkuar 800 milionë qytetarë. Pra, le të punojmë së bashku për një agjendë të fortë transatlantike…”, tha ajo në një postim në rrejtin X.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e përgëzoi zotin Trump duke e cilësuar fitoren e tij si “rikthimin më të madh në historinë politike amerikane”!
“Përgëzime presidentit Trump për fitoren e madhe. Një fitore shumë e nevojshme për botën”, shkroi ai në rrjetin X.
Edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përgëzoi zotin Trump për atë që e quajti një fitore “mbresëlënëse”.
“Unë e çmoj angazhimin e Presidentit Trump për qasjen “paqe përmes forcës” në çështjet globale. Ky është pikërisht parimi që praktikisht mund të sjellë më afër paqen në Ukrainë”, shkroi Presidenti Zelensky në rrjetin X.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përgëzoi zotin Trump për “rikthimin më të madh ndonjëherë”.
“Rikthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë mundëson një fillim të ri për Amerikën dhe një përkushtim të ri të madh për aleancën e mrekullueshme mes Izraelit dhe Amerikës. Kjo është fitore e madhe!”, shkroi kryeministri Netanyahu.