Gjykata në Romë ka vendosur pezullimin e ndalimit të 7 emigrantëve që u sollën në Shqipëri të premten, duke dhënë urdhër që ata të largohen nga qendra e Gjadrit dhe të rikthehen sërish në Itali.
Në vendimin e gjykatës së Romës thuhet se kjo çështje i referohet Gjykatës Evropianë të Drejtësisë.
7 emigrantët e sjellë në qendër të premten e kaluar do të lirohen në orët në vijim dhe do të transferohen në Itali, duke mbërritur në Brindisi, shkruajnë mediat italiane.
Emigranti i fundit që u kthye në Itali më 9 nëntor ishte një person nga Egjipti, që u diagnostikua me “probleme psikikike” dhe prandaj u tha se ishte e pamundur që të mbahej në qendrën në Gjadër.
Grupi prej tetë emigrantësh ishte i dyti që u dërgua në Shqipëri prej se qendrat e pritjes filluan punën në tetor, sipas marrëveshjes së arritur mes Italisë dhe Shqipërisë vitin e kaluar.
Marrëveshja lejon që deri në 3.000 emigrantë – që kapen nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj – të dërgohen në Shqipëri, ku do të vlerësohen për fitimin e azilit në Itali, apo kthimin mbrapsht në vendet e tyre.
Italia është pajtuar t’i mirëpresë emigrantët që fitojnë azilin, ndërsa atyre që nuk u pranohen kërkesat për azil, dëbohen drejtpërdrejt nga Shqipëria.
Italia i dërgoi në Shqipëri fillimisht një grup prej 16 emigrantësh nga Bangladeshi dhe Egjipti muajin e kaluar. Katër prej tyre u kthyen në Itali në ditën e njëjtë, sepse ishin të mitur ose kishin probleme shëndetësore.
Dymbëdhjetë të tjerët u kthyen mbrapsht tri ditë më vonë, pas një gjykatë në Romë urdhëroi që ata të mos mbahen në Shqipëri për shkak se vendet e tyre të origjinës – Bangladeshi dhe Egjipti – nuk ishin vende të sigurta.
Kryeministrja Meloni e ka përditësuar statusin ligjor në listën e vendeve të sigurta, duke e bërë atë akt ligjor në vend se dekret ministrial, duke besuar se kjo do ta bëjë më të vështirë për gjykatat ta sfidojnë vlefshmërinë e tij.
Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.
Sipas marrëveshjes, procedurat për emigrantët do të kryhen në dy qendra.
Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, do të shërbejë për strehim të emigrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil.
Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma.
/Argumentum.al