Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke vendosur kështu edhe tonin për negociatat dyjavore.
Ndër të tjera, pritet të flasë edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Përfaqësues nga pothuajse 200 shtete po marrin pjesë në samitin, i njohur si COP29, në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, i cili filloi dje.
Ata do të diskutojnë se si të frenohet kriza klimatike dhe të zbuten pasojat e saj, të cilat përfshijnë përmbytjet më të shpeshta dhe të rënda, ciklonet, zjarret në pyje, valët e të nxehtit dhe thatësirat.
Samiti synon gjithashtu të adresojë angazhimet e reja financiare për vendet e varfra që janë veçanërisht të prekura nga ndryshimet klimatike.
Disa liderë ndërkombëtarë kanë vendosur të mos jenë në konferencë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin brazilian Lula da Silva, vendi i të cilit do të marrë presidencën e COP në 2025.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ndërkohë anuloi udhëtimin e tij në Baku për shkak të rënies së koalicionit të tij qeverisës javën e kaluar.
Në këtë samit merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Marrëveshja e vendit pritës dhe dokumente të tjera të rëndësishme tashmë janë nënshkruar mes qeverisë së Azerbajxhanit dhe Sekretariatit të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.
Samiti i Liderëve Botërorë të Veprimit për Klimën, ngjarja e nivelit më të lartë të COP29, do të zhvillohet më 12-13 nëntor 2024.
Një pritshmëri kryesore nga COP29 është marrëveshja për një Objektiv të Ri Kolektiv të Kuantifikuar (NCQG) të drejtë dhe ambicioz për financimin e klimës.
Katërmbëdhjetë nismat e propozuara nga Presidenca e COP29 përfshijnë integrimin e veprimit klimatik me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, zhvillimin e korridoreve të energjisë së gjelbër, krijimin e zgjidhjeve të ruajtjes së energjisë së gjelbër, avancimin e hidrogjenit të pastër, reduktimin e metanit nga mbetjet organike dhe promovimin e veprimit digjital të gjelbër.
Këto iniciativa synojnë të gjenerojnë financa për klimën, thelbësore për përmbushjen e objektivit të ngrohjes globale prej 1,5°C dhe për të siguruar një përgjigje të unifikuar globale ndaj ndryshimeve klimatike.
/Argumentum.al