Prof. Dr. Enver BYTYÇI
Republika Popullore e Kinës dhe Shqipëria janë dy vende me një histori të veçantë e unike në marrëdhëniet e tyre. Ato u afruan pas shpalljes së Republikës Popullore të Kinës më 1 tetor 1949. Shqipëria ishte ndër vendet e para që e njohu Republikën Popullore të Kinës dhe me 23 nëntor 1949 ato vendosën marrëdhënie diplomatike midis tyre. Pas kësaj, vëmendja e të dy vendeve u rrit për njëri-tjetrin, derisa Kina u bë partneri kryesor i Shqipërisë në kapërcyell të prishjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik në fund të viteve 1950 e deri në mesin e viteve 1970.
Kryetari i Shtetit i Kinës, Mao Ce Dun takohet me mysafirë shqiptarë, Pekin, Maj 1957/CMG
Kina dhe Shqipëria kundërshtuan së bashku politikat e ish-Bashkimit Sovjetik asokohe. Ky interes i fillimit u shndërrua në levë Arkimedi që Shqipëria të mbijetojë në kushtet e izolimit pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste të Lindjes së Europës. Nga ana e saj Republika Popullore e Kinës u tregua shumë bujare për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ajo ndihmën e saj ekonomike, ushtarake etj. nuk e përdori asnjëherë për të bërë presion ndaj lidershipit të Shqipërisë, aq më pak për ndryshime të këtij lidershipi.
Nga 1960-1973 ishin vitet më intensive të marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Gjatë kësaj periudhe Kina investoi në 430 vepra industriale e të ndërtimit në Shqipëri. Investimi kinez kapte shumën e miliarda dollarëve amerikanë, ndërkohë që vinte si ndihmë falas ose kredie të favorshme. Me ndihmën e qeverisë së Pekinit dhe specialistëve kinezë u ndërtuan dy hidrocentrale të fuqishëm, ai i Vaut të Dejës, i cili mori emrin kryetarit kinez, “Mao Ce Dun”, si dhe hidrocentrali i Fierzës. U ndërtuan gjithashtu Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, Kombinati i tekstileve sërishmi me emrin “Mao Ce Dun” në Berat, Uzina e Përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, Uzina e azotikut në Feir, fabrika e superfosfatit në Laç, disa fabrika pasurimi të kromit e bakrit e shumë vepra të tjera industriale.
Inxhinierë kinezë dhe shqiptarë në një uzinë në Shqipëri/CMG
Ndërsa në ushtri investimet kineze kapnin shumën e 11 miliard dollarëve amerikanë, shumë të cilën ma kishte konfirmuar gjatë një interviste në vitin 1991 sh-zv. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, gjenerali Rrahman Perllaku. Bashkëpunimi me Kinën solli ndërtimin e fabrikave për prodhimin e armëve, ringritjen e flotës ajrore, detare etj. Kurse shkëmbimet në kulturë qenë unike. Grupet artistike të Shqipërisë, përfshirë Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, shkuan shumë herë për të dhënë shfaqje në Kinë e grupet e baletit, si dhe grupe të tjera artistike të Kinës erdhën vazhdimisht në Shqipëri. U bënë të njohur e të preferuar filmat kinezë te ne dhe filmat shqiptarë në Republikën Popullore të Kinës.
Ndërkohë delegacionet shtetërore e të të dy partive shkuan në Pekin e erdhën në Tiranë disa herë. Kryeministri Çu En Lai dhe zv. Kryeministri Li Si Nien vizituan shumë herë vendin tonë. Ndërsa kryeministri Mehmet Shehu, zv. Kryeministrat Beqir Balluku e Adil Çarçani, ministra të tjerë si Abdyl Këllezi, Kiço Ngjela etj shkuan shumë herë për vizita zyrtare në Pekin dhe rajone të tjera të Kinës. Shkëmbimi i delegacioneve ishte i niveleve më të larta dhe aq i shpeshtë sa ndodhte që një delegacion të gjente ende në Pekin delegacionin e mëparshëm.
Republika Popullore e Kinës solli në Shqipëri thuajse pjesën më të madhe të pajisjeve dhe lëndës së parë për industrinë shqiptare. Në jo pak raste ajo i porositi pajisjet në fabrika europiane për të ndërtuar objektet industrial tonat. Solli me mijëra specialist të munguar për ndërtimin e një industrie të tillë në vendin tonë.
Kryeministri kinez Çu En Lai takohet me veteran shqiptar/CMG
Kjo lidhje e miqësi e ngushtë e asaj kohe u përjetua publikisht edhe nga qytetarët shqiptarë. Por kur Kina filloi hapjen e saj drejt tregjeve perëndimore, sidomos tregut amerikan, Shqipëria e priti këtë jo vetëm me skepticizëm, por edhe me kritika. Në një letër dërguar kryetarit Mao dhe kryeministrit Cu En Lai ata e shprehnin këtë kritikë dhe „këshillonin“ që „Kina të mos afrohej me SHBA-të“! Udhëheqja kineze nuk reagoi. Ambasadorët e Kinës në Tiranë u përpoqën të shpjegojnë arsyet e këtij afrimi kino-amerikan dhe dhanë mesazhe se secili vend ndjek politikat e tij të pavarura. Por lidershipi shqiptar e shihte këtë lidhje nga pikëpamja ideologjike. Për këtë shkak në Tiranë u prit me nervozizëm vizita e presidentit Nixon në Pekin.
Prej këtij momenti në Shqipëri filloi goditja e atyre që quheshin “grupet armiqësore”. Në korrik të vitit 1978 udhëheqja shqiptare shpalli shkëputjen e të gjitha marrëdhënieve shtetërore e partiake me Republikën Popullore të Kinës.
Një delegacion shqiptar viziton fabrikë kineze/CMG
Një vështrim i shpejtë i ngjarjeve dhe zhvillimeve në marrëdhëniet midis Shqipërisë e Kinës në periudhën e dy dekadave të shekullit të kaluar na bën të nxjerrim disa mësime të vlefshme:
Së pari, duhet dalluar fakti se Kina, megjithëse e ndihmoi Shqipërinë aq shumë, nuk e kushtëzoi ndihmën e saj me lëshime politike, aq më pak me kufizimin e sovranitetit të saj, gjë që ndodhi hapur me vendet satelite të ish-Bashkimit Sovjetik. Kina ishte askoho 700-800 milion banorë e Shqipëria diku te 2.5 milion. Pavarësisht kësaj, udhëheqja kineze nuk tentoi që në Shqipëri të vendoste ndonjë qeveri “kukëll” pro-Kinë. Por Shqipëria u përpoq të bëjë diçka në ndihmë të Kinës. Ajo ishte aktive e sponsore e pranimit të Republikës Popullore të Kinës në OKB, që do të thoshte hyrje e saj edhe në Këshillin e Sigurimit.
Së dyti, Kina dhe Shqipëria gjatë periudhës së lidhjeve miqësore të kohës së komunizmit dhanë shembullin klasik sesi mund të bashkëpunojnë si partnerë të barabartë dy shtete jo të barabarta, madje ekstremisht jo të barabarta. Fakti që ishte shteti minoren, Shqipëria, ajo që inicioi prishjen e marrëdhënieve me Kinën, dëshmon se sa hapësirë lirie kishte për shtetin më të vogël në marrëdhëniet e tij me një shtet gjigand, si Republika Popullore e Kinës. Kjo do të thotë se nuk mund të ketë komplekse në marrëdhëniet e sotme e të ardhshme Shqipëri-Kinë.
Së treti, Kina ka një bazë të fuqishme njohjeje bazuar në studime të gatshme për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë. Grupet e specialistëve kinezë kanë lënë si trashëgimi projekte, harta, studime të shumta, të cilat shërbejnë si bazë e sigurive dhe garancive të bashkëpunimit të sotëm. Kjo trashëgimi e lehtëson marrëdhënien dypalëshe.
Së katërti, vihet re se në vendin tonë ka ende zyrtarë e administratorë, të cilët besojnë se bashkëpunimi midis Kinës dhe Shqipërisë në fushën ekonomike duhet të realizohet si në periudhën e para 60 viteve, bazuar në ndihma falas e kredi pa interesa. Por kushtet tashmë kanë ndryshuar në të dy vendet tona. Republika Popullore e Kinës dhe Shqipëria zhvillohen sipas modelit të ekonomisë së tregut dhe ligjet e zhvillimit të këtij modeli janë ato që garantojnë suksesin e bashkëpunimit dy palësh.
Së pesti, Shqipëria humb një mundësi dhe shans të sprovuar nëse marrëdhëniet e saj me Kinën i politizon. Kjo sepse Kina nuk përbën asnjë kërcënim për sovranitetin dhe modelin e qeverisjes në Shqipëri. Përkundrazi, bashkëpunimi i ngushtë shqiptaro-kinez krijon mundësi negocimi. Duhet pranuar se në kushtet e sotme është Shqipëria ajo që humb shumë më tepër nga mungesa e prezencës së investimeve kineze te ne.
*Ky artikull është publikuar ekskluzivisht për Edicionin Special në revistën “Argumentum”, në kuadër të 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës dhe 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës.
© 2024 Argumentum