Rusia supozon se vendimi për të lëshuar raketa ATACMS thellë në Rusi do të thotë një raund i ri cilësor i përshkallëzimit të tensioneve, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
“Nëse një vendim i tillë është formuluar dhe komunikuar me të vërtetë regjimit të Kievit, atëherë, sigurisht, ky është një raund i ri cilësor i përshkallëzimit të tensioneve dhe një situatë cilësisht e re përsa i përket përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në këtë konflikt.” tha Peskov.
Pozicioni i Moskës duhet të jetë absolutisht i qartë për të gjithë, theksoi zëdhënësi. “Këto sinjale janë marrë nga Perëndimi kolektiv. Dhe ato janë shprehur nga presidenti në Shën Petersburg,” kujton Peskov, sipas medias ruse TASS
Më 12 shtator, presidenti rus Vladimir Putin vuri në dukje se një vendim i mundshëm për të përdorur armë me rreze të gjatë perëndimore kundër Rusisë do të nënkuptonte asgjë më pak se përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të NATO-s në luftën në Ukrainë. Kjo do të ndryshonte në mënyrë drastike natyrën e këtij konflikti dhe Rusia do të detyrohej të merrte masat e duhura në përgjigje të kërcënimeve në rritje, paralajmëroi presidenti rus. Putin theksoi se Ukraina nuk do të ishte në gjendje të godiste thellë në territorin rus pa mbështetjen perëndimore, pasi do të kërkonte inteligjencë satelitore dhe misione fluturimi për ta bërë këtë.
Më 17 nëntor, New York Times raportoi, duke cituar burime, se Biden kishte autorizuar sulme nga territori ukrainas thellë në Rusi duke përdorur raketa taktike balistike ATACMS.
Administrata e Presidentit Joe Biden ka hequr kufizimet që nuk e lejonin Ukrainën të përdorte armatime amerikane për të kryer sulme në thellësi të territorit rus, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters tre burime që kanë dijeni për këtë çështje, një ndryshim i rëndësishëm në politikën e Shteteve të Bashkuara lidhur me konfliktin Ukrainë-Rusi. Edhe agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se për herë të parë Presidenti Biden ka miratuar përdorimin e armëve amerikane me rreze të gjatë veprimi në Rusi.
Ukraina planifikon të kryejë sulmet e saj të para me rreze të gjatë veprimi në ditët në vazhdim, thanë burimet për Reuters, pa dhënë detaje për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e operacioneve.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte, shkruan Zëri i Amerikës.
Ky vendim i Shteteve të Bashkuara, rreth 2 muaj përpara se Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar, vjen pasi për muaj me radhë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kishte kërkuar që ushtria e vendit të tij të lejohej të përdorte armatimet amerikane për të goditur objektivat ushtarake ruse që gjenden larg kufirit.
Ndryshimi i politikës vjen pas dislokimit të trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar forcat ruse, një zhvillim që ka alarmuar Uashingtonin dhe Kievin.
Sulmet e para në thellësi ka të ngjarë të kryhen duke përdorur raketat ATACMS, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 306 km, sipas burimeve.
/Argumentum.al