Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të enjten se Moska ka testuar një raketë të re me rreze të mesme veprimi në një sulm ndaj Ukrainës. Ai paralajmëroi se Moska mund ta përdorë raketën kundër vendeve që lejuan Kievin të godasë Rusinë me raketat e furnizuara prej tyre.
Sulmi rus në qytetin qendror të Ukrainës, Dnipro, të enjten, erdhi si përgjigje ndaj sulmeve ukrainase në territorin rus këtë javë ku u përdorën raketa amerikane dhe britanike me rreze të gjatë veprimi, tha zoti Putin gjatë një fjalimi televiziv.
Ai tha se ishte goditur një fabrikë raketash, në Dnipro, me raketën e re të quajtur “Oreshnik”, që në rusisht do të thotë “lajthi”.
Presidenti Putin deklaroi se Rusia do të njoftojë paraprakisht nëse kryen sulme të tjera me raketa të tilla kundër Ukrainës, që të mundësohet evakuimi e civilëve sic tha ai. Zoti Putin tha se sistemet e mbrojtjes ajrore të Shteteve të Bashkuara nuk do të jenë në gjendje t’i interceptojnë raketat ruse.
“Ne besojmë se kemi të drejtë të përdorim armët tona kundër objekteve ushtarake të vendeve që lejojnë përdorimin e armëve të tyre kundër objekteve tona”, tha ai. “Dhe në rast përshkallëzimi të veprimeve agresive, ne do të përgjigjemi me vendosmëri me të njëjtën monedhë”.
Njoftimi i Putinit erdhi disa orë pasi Ukraina njoftoi se Rusia kishte goditur me një raketë balistike ndërkontinentale gjatë natës qytetin qendror të Ukrainës, Dnipro.
Zëdhënësja e e Pentagonit Sabrina Singh tha se mund të konfirmonte se Rusia kishte lëshuar një raketë eksperimentale balistike me rreze të mesme veprimi. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara ishin njoiftuar parapkrakisht nga kanalet e komunikimit të Qendrës së Reduktimit të Rrezikut Bërthamor.
Sipas zyrtarëve lokalë, si pasojë e sulmit mbetën të plagosur dy persona dhe u dëmtuan një objekt industrial dhe një qendër rehabilitimi për persona me aftësi të kufizuara.
Sulmi ndodh gjatë një jave tensionesh të përshkallëzuara e ndërsa Shtetet e Bashkuara hoqën kufizimet ndaj Ukrainës për përdorimin e armëve amerikane me rreze të gjatë veprimi për të goditur brenda territorit rus. Më pas Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një doktrinë të rishikuar bërthamore duke ulur zyrtarisht pragun për përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia.
Forcat ajrore ukrainase thanë në një deklaratë se sulmi në Dnipro u krye nga rajoni rus Astrakhan, në Detin Kaspik.
“Sot, fqinji ynë i çmendur tregoi edhe një herë se çfarë është në të vërtetë dhe dhe sa i frikësuar është ai”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy disa orë përpara fjalimit të zotit Putin.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë të enjten se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore rrëzuan dy raketa të prodhimit britanik “Storm Shadow”, gjashtë raketa HIMARS dhe 67 dronë.
Ky nuk është njoftimi i parë publik i Moskës për rrëzimin e raketave Storm Shadow, pasi Rusia raportoi më herët se kishte rrëzuar disa mbi gadishullin e aneksuar të Krimesë.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur lufta ka marrë një dimension ndërkombëtar në rritje me vendosjen e trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Rusinë në fushëbetejë, një zhvillim që zyrtarët amerikanë thanë se nxiti ndryshimin e politikës së Presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të përdorë raketa amerikane me rreze më të gjatë veprimi. Kremlini u përgjigj me kërcënime për përshkallëzim të konfliktit.
Presidenti Putin ka paralajmëruar më parë SHBA-në dhe aleatët e tjerë të NATO-s se lejimi i Ukrainës të përdorë armët perëndimore me rreze më të gjatë veprimi për të goditur territorin rus, do të thotë se Rusia dhe NATO janë në luftë. Doktrina e tij e re lejon një përgjigje të mundshme bërthamore nga Moska edhe ndaj një sulmi konvencional ndaj Rusisë nga çdo komb që mbështetet nga një fuqi bërthamore./VOA