“Confluence of Culture” është tema e stendës prezatuese të Shqipërisë, vendosur në krah të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, nisur nga bashkëpunimi rajonal midis vendeve të Ballkanit të Hapur.
Shqipëria përfaqësohet në Panairin “Wine Vision by Open Balkan 2024”, në Serbi, me Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Në ditën e parë të Panairit, morën pjesë në ceremoninë e hapjes, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela dhe ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj, të cilët vizituan nga afër stendat e bizneseve shqiptare pjesëmarrëse në këtë panair.
Shqipëria përfaqësohet denjësisht nga 7 kantina, në edicionin e tretë të panairit “Wine Vision”, që po zhvillohet në Beograd, Serbi, ku marrin pjesë 38 vende nga e gjithë bota.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, teksa publikoi në rrjete sociale pamje nga stenda e Shqipërisë në panair, vlerësoi markat shqiptare të prodhimit të verës.
“Promovimi i produkteve autentike shqiptare “made in Albania” në rajon dhe më gjerë, konfirmon cilësinë, traditën tonë unike dhe vëmendjen e shtuar për verërat shqiptare jashtë vendit”, tha Denaj.
Ministrja vlerësoi se ky panair nxit forcimin e bashkëpunimit rajonal, eksportin e verërave shqiptare, si dhe prezanton shijet unike shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Në një njoftim për shtyp AKT bën të ditur se, mbi 800 verëra nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të garojnë në Konkursin e Open Balkan Wine Trophy 2024.
Në Panairin “Wine Vision by Open Balkan 2024” prezantohen varietete të shumëllojshme vere dhe produkte të tjera ushqimore në 650 stenda, të tëra për t’u eksploruar.
Me këtë rast, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela dhe Drejtoresha e Organizatës Kombëtare të Turizmit të Serbisë Marija Labovic kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi. Marrëveshja u nënshkrua gjatë një ceremonie të posaçme në Panairin e Verës në Beograd.
Në deklaratën e saj për mediat, Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së nënvizoi se: “Ne kemi rënë dakord të punojmë së bashku për të siguruar turizëm të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit në zonat malore dhe parqet kombëtare. Në aspektet kryesore të këtij memorandumi, të dyja agjencitë tona të turizmit do të zhvillojnë dhe promovojnë produkte turistike për turistët shqiptarë dhe serbë”- tha Çela.
Çela bëri me dije se drejtimet kryesore të këtij memorandumi do të jenë: Ndarja e informacionit dhe ngjarjeve; Shkëmbimi i informacionit në lidhje me ngjarjet e promovimit të turizmit (ekspozita, panaire, seminare etj.).
“Wine Vision – Open Balkan” është një panair i verës, ushqimit dhe turizmit i mbajtur në kuadër të Open Balkan.
/Argumentum.al