Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë një mesazh në rrjetet sociale lidhur me vizitën e tij në Komandën e NATO-s për Transformimin (ACT) dhe Komandën e Bashkuar të Aleancës në Norfolk, ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me personelin ushtarak shqiptar.
Vengu vlerësoi kontributin e personelit shqiptar në avancimin e objektivave strategjikë dhe operacionalë të Aleancës, duke theksuar mbështetjen dhe kujdesin e vazhdueshëm të Ministrisë së Mbrojtjes për garantimin e interesave kombëtare dhe përmbushjen e detyrave në këto struktura të NATO-s përtej Atlantikut.
Gjatë një pritjeje të organizuar nga përfaqësia ushtarake shqiptare, në kuadër të 112-vjetorit të Pavarësisë dhe 80-vjetorit të Çlirimit, këto ngjarje historike u nderuan nga lidershipi ushtarak i Komandave Aleate dhe komuniteti shqiptar në Norfolk. Ministri e cilësoi këtë një mbrëmje krenarie kombëtare, duke kujtuar sakrificat e burrave dhe grave që formësuan shtetin shqiptar dhe kontribuuan në luftën kundër nazifashizmit.
“Sot, më shumë se kurrë, jemi krenarë që Shqipëria qëndron në një familje mes miqsh dhe vlerash transatlantike,” përfundoi ministri Vengu.