Ish-zëvendëskryeministri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi është futur në Listën e Zezë të SHBA-ve. Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, Shtetet e Bashkuara kanë informuar se kanë zgjeruar Listën e Zezë, ndërsa po ndërmarrin veprime për të promovuar përgjegjësinë për autorët e korrupsionit dhe abuzimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën.
Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, raporton KOHA.mk
“Në bazë të nenit 7031(c), Departamenti i Shtetit cakton publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ndërsa shtohet se Mijallkovi është në Listën e Zezë që në vitin 2022 për korrupsion.
“Askush nuk është mbi ligjin dhe llogaridhënia është thelbësore për përparimin”. Kështu shkruan në rrjetin social X, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, pas shpalljes në Listën e Zezë të emrit të Artan Grubit dhe gjykatësit Enver Bexheti.
“Përzgjedhja e sotme e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit është dëshmi se ndërhyrjet politike në gjyqësor nuk mund – dhe nuk do të tolerohen. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të emërojnë ata që përfshihen në korrupsion që minon institucionet demokratike dhe gërryen besimin publik. Askush nuk është mbi ligjin dhe llogaridhënia është thelbësore për përparimin”, shkruan në profilin e saj në X, ambasadorja Ageler.
Në Listën e Zezë, siç thuhet në njoftim, janë edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Artan Grubit.
/Argumentum.al