Gurakuç Kuçi, hulumtuesi i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, ka reaguar ndaj deklaratave të Kishës Ortodokse Serbe në lidhje me komentet e tij në emisionin “Edicioni Special” të Klan Kosova. Në deklaratën e tij, Kuçi kishte përmendur mundësinë e fshehjes së armëve në Kishën Ortodokse Serbe, një shqetësim që ai e lidh me sigurinë dhe drejtësinë në Kosovë, por pa e sulmuar fenë, popullin serb apo vetë Kishën.
Kuçi ka shprehur keqardhje që Kisha Ortodokse Serbe ka reaguar në mënyrë agresive ndaj deklaratës së tij, duke e quajtur atë “shpifje” dhe pjesë të një “fushate për të nxitur urrejtje”. Ai ka theksuar se reagimi i Kishës është disproporcional dhe ka për qëllim të delegjitimojë punën dhe integritetin e tij si studiues, duke e lidhur me nxitjen e urrejtjes etnike dhe fetare, një akuzë që ai e quan të pabazuar dhe të rrezikshme.
Për më tepër, Kuçi ka theksuar se ky reagim mund të interpretohet si kërcënim ndaj tij, jo vetëm për deklaratat mbi Kishën, por edhe për angazhimin e tij në kërkimin e transparencës dhe ekspozimin e lidhjeve të sulmit terrorist në Zveçan me strukturat serbe të lidhura me regjimin e Aleksandar Vuçiçit. Ai ka paralajmëruar se kjo fushatë sulmesh retorike nga Kisha dhe regjimi serb po krijon një atmosferë kërcënuese për integritetin e tij si studiues dhe aktivist.
Reagimi i plotë:
Kisha Ortodokse Serbe nëpërmjet dioqezës së Rashkë – Prizren me datën 05.12.2024, ka reaguar ndaj deklaratave të mia (Gurakuç Kuçi – Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”) të dhëna në Klan Kosova me datën 03.12.2024. deklaratën time dhe kërkim llogaridhënien nga Kisha ortodokse serbe në Kosovë e gjeni në këtë link (https://www.youtube.com/live/iu0w7Jd6aFk?si=8FKC8VU66l1mYsGW&t=1134).
Deklarata ime për transparencë mbi aktivitetet brenda kishave ortodokse serbe dhe mundësinë e keqpërdorimit të tyre është një pyetje legjitime, e bazuar në precedentët e njohur dhe në interes të qartësisë publike. Kjo çështje kërkon hetim dhe llogaridhënie, dhe nuk përfaqëson sulm ndaj fesë, popullit serb apo Kishës, por adreson një shqetësim të rëndësishëm për sigurinë dhe drejtësinë në Kosovë.
Përdorimi i akuzave si formë presioni:
Në vend që Kisha Ortodokse Serbe të adresojë në mënyrë të përgjegjshme pyetjen time, Kisha Ortodokse Serbe ka zgjedhur të kalojë në një sulm personal, duke e quajtur deklaratën time “shpifje” dhe pjesë të një “fushate për të nxitur urrejtje.” Kjo gjuhë nuk është vetëm disproporcionale, por përbën një përpjekje të hapur për të më delegjitimuar dhe për të ndikuar në opinionin publik kundër meje. Lidhja ime me “nxitjen e urrejtjes etnike dhe fetare” është një akuzë e rëndë, e pabazë dhe e rrezikshme, e cila sugjeron një përpjekje për të më heshtur dhe për të shmangur debatet legjitime mbi çështjet kritike.
Një kërcënim i hapur ndaj integritetit tim politik dhe fizik:
Reagimi i Kishës dhe tonet e përdorura mund të perceptohen si një kërcënim i hapur ndaj meje, jo vetëm për deklaratat mbi Kishën, por për shkak të angazhimit tim për të kërkuar transparencë dhe për të ekspozuar faktet mbi sulmin terrorist në Zveçan dhe lidhjet e këtij sulmi me strukturat serbe të lidhura me regjimin e Aleksandar Vuçiçit. Kombinimi i këtyre sulmeve retorike nga Kisha dhe regjimi serb krijon një ambient kërcënues ndaj integritetit tim si studiues, qytetar dhe aktivist për të vërtetën.
Manipulimi dhe dezinformimi i qëllimshëm:
Kisha nuk ka cituar asnjëherë burimin e saktë të intervistës sime. Përkundrazi, është mbështetur në interpretime të mediave që nuk përfaqësojnë fjalët e mia reale. Kjo strategji jo vetëm që është e pasinqertë, por shton presionin dhe rrezikun ndaj fjalës së lirë dhe pyetjeve publike.
Respekti ndaj popullit serb dhe përvoja ime personale:
Nëse shqyrtohet çdo deklaratë e imja publike, përfshirë edhe këtë të fundit, është e qartë se unë kurrë nuk kam sulmuar popullin serb. Përkundrazi, i konsideroj ata si qytetarë të barabartë. Unë kurrë nuk kam kërkuar hakmarrje ndaj Serbisë, përkundër përvojave të mia personale tragjike, përfshirë burgosjen time si fëmijë, torturimin e babait tim, zhdukjen e gjyshit dhe burgosjen e anëtarëve të tjerë të familjes nga regjimi serb.
Këto fakte tregojnë se sulmi i Kishës ndaj meje shtrihet përtej një reagimi fetar dhe është pjesë e një strukture më të gjerë kërcënimi dhe presioni politik. Prandaj, mbetem i përkushtuar për të vazhduar kërkimin e të vërtetës dhe mbrojtjen e lirisë së fjalës, duke u bazuar gjithmonë në fakte dhe dialog të hapur.
Linku ku Kisha ortodokse serbe hedh akuza kërcënuese: https://eparhija-prizren.com/sr/saopstenja/__neodgovrone-i-lazne-izjave/
/Argumentum.al