Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut vendosi të mërkurën të shtyjë vendimin për një ligj të diskutueshëm mbi përdorimin e gjuhëve të pakicave. Ligji i miratuar në vitin 2019 e bën gjuhën shqipe gjuhë të dytë zyrtare në zonat me një përqindje të lartë të shqiptarëve etnikë. Ligji përballet me disa sfida ligjore që vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e tij.
Gjykata njoftoi se shtyrja synon të mundësojë konsultime shtesë dhe këshillime me ekspertë të huaj, dhe një vendim mund të kërkojë deri në tre muaj. Shqiptarët etnikë, të cilët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë prej 2 milionë banorësh të Maqedonisë së Veriut, kanë protestuar kundër çdo përpjekjeje për të ndryshuar ligjin. Partia opozitare etnike shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, paralajmëroi se çdo ndryshim mund të destabilizojë balancën e brishtë etnike në vend.
BDI bën thirrje për mbrojtjen e gjuhës shqipe
Siç bën të ditur, korrespondentja e Deutsche Welle-s në Shkup, Katerina Blazevska, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) u kishte bërë thirrje qytetarëve që të mblidheshin mëngjesin e të mërkurës para Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur gjuhën shqipe, ndërsa Gjykata do të debatonte për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ndërkohë, BDI ka qëndruar e heshtur lidhur me përfshirjen e zyrtarit të saj, Artan Grubi, në listën e zezë amerikane.
Ligji ka tërhequr gjithashtu kritika ndërkombëtare. Në vitin 2019, Komisioni i Venecias shprehu shqetësime për paqartësitë e ligjit, veçanërisht në zbatimin e tij në proceset gjyqësore. Për më tepër, kritikët theksojnë se nuk është e qartë nëse disa dispozita vlejnë vetëm për shqipen apo edhe për gjuhë të tjera të pakicave, si turqishtja apo gjuha rome.
Kryeministri Hristijan Mickoski akuzoi BDI-në për përdorimin e tensioneve etnike për përfitime politike. Ndërkohë, liderë të tjerë politikë bënë thirrje për mbrojtjen e balancës multietnike të vendit, një gur themeli i Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001. /DW