Guvernatori Gent Sejko zhvilloi takimin përmbyllës të vitit me publicistë, analistë, gazetarë të njohur dhe përfaqësues të shtypit të shkruar e medias elektronike në Shqipëri. Ai falënderoi ata për punën e palodhur për të pasqyruar me realizëm, vërtetësi dhe në kohë reale të gjithë aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.
Sejko vuri në dukje se zhvillimet e reja teknologjike dhe pasiguritë globale e bëjnë komunikimin e bankave qendrore me publikun edhe më të rëndësishëm.
“Përmes punës së medias, Banka e Shqipërisë ka mundur të komunikojë me publikun vendimmarrjen e saj në fushën e politikës monetare dhe të stabilitetit financiar, të njoftojë ndryshimet rregullative dhe të rejat më të fundit në fushën e mbikëqyrjes bankare, sistemit të pagesave, edukimit e përfshirjes financiare dhe asaj digjitale financiare. Profesionalizmi juaj na ka mundësuar një komunikim efektiv, duke ndihmuar transmetimin e politikave tona në ekonomi, e rrjedhimisht, në ruajtjen e stabilitetin e çmimeve, atij të sektorit financiar dhe të stabilitetit makroekonomik të vendit në përgjithësi”, theksoi Guvernatori Sejko.
Si pjesë e traditës të çdo fundviti, Banka e Shqipërisë shpalli sot 3 fituesit e Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të mirë në fushën e ekonomisë.
Çmimi i parë iu dha z. Markeljan Blacëri, student në Universitetin e Studimeve të Padovës (Universit`a degli studi di Padova) për temën “Long-Run Monetary Shadows: Can Policy Shocks Affect the Natural Rate of Unemployment?”.
Çmimi i dytë iu dha z. Endri Deda, student në Universitetin e Parisit Dauphine-PSL (Universite Paris Dauphine-PSL) për temën “The Effect of Deep Trade Agreements on FDI flows”.
Çmimi i tretë iu dha zj. Eneda Gjoka, studente në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës për temën “Përdorimi i Machine Learning për parashikimin e inflacionit në tendencat ekonomike”.
Ky konkurs organizohet prej 18 vjetësh nga Banka e Shqipërisë dhe i fton studentët shqiptarë kudo në botë të prezantojnë punimet e tyre në fushën e ekonomisë dhe financës.
Këtë vit në konkurs morën pjesë 24 studentë të niveleve të ndryshme studimore. Temat e paraqitura trajtonin objektivat dhe politikat tradicionale të bankave qendrore. Njëkohësisht shumë prej tyre ishin fokusuar te çështjet që kanë dominuar aktivitetin e BSH-së gjatë vitit 2024, pa lënë mënjanë problematika që lidhen me ndryshimet klimatike, edukimin dhe përfshirjen financiare të popullatës dhe sistemet e pagesave.
/Argumentum.al