Para nisjes së seancës plenare, deputetët socialistë janë udhëzuar më një memo të shpërndarë për grupin e PS-së që përmban arsyetimin për dekretin e Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve.
Në dokument thuhet se akti i Presidentit për shfuqizimin e dekretit të 30 qershorit është absolutisht i pavlefshëm, pasi është nxjerrë nga organi publik jashtë kompetencave të tij si dhe në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin, (neni 108 e vijues i K.Pr.Administrative) dhe si i tillë konsiderohet një akt nul dhe nuk mund të prodhojë asnjë pasojë.
Ky akt sipas socialistëve është dhe një atentat ndaj Kushtetutës së vendit pasi bie në kundërshtim flagrant me një sërë dispozitash kushtetuese sic shpjegohet më mirë në seksionin 3 më poshtë.
Duke analizuar sfondin politik, PS vlerëson se akti i paprecedentë i Presidentit për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve të 30 Qershorit, vjen në momente të rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit dhe në kohën kur vendi po vijon me reforma të rëndësishme për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Akti i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve nxirret në një kohë kur ish deputetë të PD dhe LSI kanë djegur mandatet.
PS vlerëson se Presidenti nuk ka kompetencë për të nxjerrë këtë akt.
“Akti i Presidentit është një atentat kushtetues që shkel një sërë nenesh ku mishërohen parime të rëndësishme të demokracisë.Cënon rëndë të drejtën e zgjedhjes së shtetasve (neni 45 i Kushtetutës). Presidenti shkeli parimin e unitetit kombëtar (neni 86 i Kushtetutës).”
Po kështu socialistë gjykojnë se Presidenti me këtë veprim krijoi një precedent të rrezikshëm për republikën tonë parlamentare, ku presidenti më së shumti ka rol protokollor.
“Me logjikën e Presidentit i bie që ai mund të anullojë apo shfuqizojë cdo dekret për emërimë, shkarkime etj … Kjo do të cënonte rëndë veprimtarinë shtetërore të tre pushteteve të shtetit, ku sic thamë më sipër presidenti merr pjesë, po nuk bën pjesë. Mendoni një moment sikur KQZ ta kishte pranuar për zbatim dekretin e datës 10 qershor. Cdo ndodhte me pasojat që kishte krijuar dekreti qe caktonte 30 qershorin si datën e zgjedhjeve? Janë kryer veprime administrative, janë harxhuar para nga buxheti i shtetit, janë marrë përsipër detyrime e përgjegjësi nga ai dekret. Kush do mbante përgjegjësi për pasojat, shkeljen e të drejtave, dëmet ekonomike etj… Të mendosh pasojat shkojmë në kufijtë e abuzimit me pushtetin dhe papërgjegjshmërisë së lartë të organit publik që e kanalizon te përgjegjësia penale…”
Si përfundim, PS thotë se dekreti i Presidentit që cakton ditën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit është i vetmi akt i ligjshëm i nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019.
“Akti i Presidentit që ka vendosur shfuqizimin e dekretit të mësipërm, është një akt absolutisht i pavlefshëm, dhe si i tillë konsiderohet një akt nul që nuk mund të prodhojë asnjë pasojë. Bazuar në parimin e ligjshmërisë dhe përgjegjësisë si dhe diskrecionit të organeve administrative, asnjë organ publik nuk ka detyrimin dhe nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore nëse nuk zbaton një urdhër, akt, apo cfarëdo vendimi absolutisht të pavlefshëm dhe që bie në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin. Nëse ky dekret shfuqizimi gjen zbatim e fillon të prodhojë pasoja ai bëhet objekt shqyrtimi në gjykatë administrative ose kolegj zgjedhor, sipas disponimit të palës që e kundërshton në rrugë gjyqësore”.//oranews