Kreu i Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), Altin Dumani, tha sot se procesi i Vetting-ut i dha formë sistemit tonë të drejtësisë.
Në konferencën që shënoi përfundimin e mandatit kushtetues të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Institucionit të Komisionerëve Publikë (IKP), Dumani theksoi se ky proces “ishte përcaktues për të pasur një demokraci më të fortë dhe për ta bërë më sigurt rrugën tonë drejt BE-së”.
“7 vite nuk janë pak, Reforma në Drejtësi e cila nisi në Shqipëri ishte transformuese duke përshkruar një prej proceseve më gjithë përfshirëse të vlerësimit me të vetmin qëllim për t’i sjellë qytetarëve shqiptarë një sistem drejtësie profesional të drejtë me integritet transparent dhe tu kthejë atyre besimin tek institucionet e reja të drejtësisë”, tha Dumani.
Dumani theksoi më tej se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Institucioni i Komisionerëve Publikë (IKP), kanë përmbyllur me sukses një punë voluminoze.
“Kanë bërë një punë të kujdesshme për gjatë kësaj kohë, jo vetëm duke kryer detyrat respektive ndaj tyre, por me shembullin e tyre këta institucione vendosën gurthemelin e një ndërtese të re që do të ngrihej, ku secili nga të përzgjedhurit sot e konsideruan si përgjegjësinë më të lartë për të qenë pjesë e saj dhe për t’i shërbyer vendit me pastërti dhe besnikëri”, tha Dumani.
Dumani tha se “SPAK është një institucion i pavarur dhe 20 prokurorët i janë nënshtruar një procesi skanues dhe transparent vlerësimi”.
“Përmes këtij procesi u ngritën muret e drejtësisë së re”, shtoi Dumani.
Dumani nënvizoi më tej se “pandëshkueshmëria po tronditet sot, rruga na përball çdo ditë me sfida të reja të cilat as nuk na kanë trembur dhe as nuk na kanë stepur”.
“Administrimi i të gjitha çështjeve të papërfunduara të KPK, të rivlerësimit të të magjistratëve do t’i kalojnë drejtuesit të SPAK, deri tani numërohen rreth 40 ankime. Parashikohet që kryetarit të SPAK do të këtë një angazhim shumë të madh në përfaqësimin e këtyre çështjeve para KPA”, tha Dumani.
Dumani theksoi se “procesi i Vetting-ut dhe rezultatet tij janë të ndara nga procedura penale”
“Kjo ndarje është thelbësore për ruajtjen e pavarësisë dhe objektivitetin e institucioneve të drejtësisë. Procesi i vettingut me gjithë rëndësinë e tij përbën një ngarkesë të madhe për gjyqtarët dhe prokurorët duke kërkuar kohë dhe përpjekje për plotësimin e dokumentacionin dhe përballjen për shqyrtime intensive”, tha Dumani.
“Kjo sfidë bëhet edhe më e ndjeshme kur përputhet me referimet e përditshme për ndjekjen e çështjeve penale apo administrative. Për këtë arsye çdo përpjekje për të lidhur këto dy proceset, jo vetëm është e gabuar, por edhe rrezikon të dëmtojë efektivin dhe përqendrimin e punës së tyre”, theksoi më tej Dumani.