Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka humbur votëbesimin në Parlamentin e vendit të hënën, duke i hapur vendit rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në fund të shkurtit.
Scholzi e fitoi besimin e 207 ligjvënësve në Bundestag, por 394 të tjerë votuan kundër tij, ndërsa 116 abstenuan.
Atij i nevojitej një shumicë prej 367 votash për ta fituar votëbesimin.
Scholzi udhëheq një qeveri pakicë, pasi koalicioni i tij qeverisës trepartiak dështoi më 6 nëntor, për shkak të mosmarrëveshjeve për mënyrën se si ta ringjallin ekonominë e ngecur të vendit.
Merz: Sulme të ashpra ndaj Scholz dhe qeverisë
Lideri i opozitës Friedrich Merz, njëherazi sfidanti kryesor i Scholz-it, përdori debatin në Bundestag për të sulmuar kancelarin dhe qeverinë e tij. Merz theksoi se Scholz, në 22 nga 26 vitet e fundit, ka qenë bashkëpërgjegjës për qeverisjen në Gjermani dhe për situatën aktuale të vendit.
Merz kritikoi gjendjen e ushtrisë gjermane, duke theksuar se, pavarësisht fondit shtesë prej 100 miliardë eurosh, Bundeswehri vazhdon të jetë në një gjendje të dobët. “Gjermania nuk mund të përballojë një ushtri në këtë gjendje,” tha ai. Ai gjithashtu akuzoi qeverinë për humbjen e konkurrueshmërisë ekonomike dhe përpjekjet e dështuara për një “kthesë epokale”* (Zeitenwende), të cilën e quajti “një epokë pa ndryshim të vërtetë.”
Merz akuzoi Scholz për mungesë lidershipi dhe ndikimi në nivel evropian, duke dëmtuar reputacionin e Gjermanisë brenda Bashkimit Evropian. “Ju turpëroni Gjermaninë dhe Evropën me mënyrën se si silleni në Bruksel. Është e turpshme të shohësh një kancelar të Gjermanisë pa vizion dhe pa zë në tryezat ku merren vendimet e mëdha për të ardhmen e kontinentit,” tha Merz.
Ai nuk kurseu as kritikën ndaj Ministrit të Ekonomisë, Robert Habeck (Të Gjelbrit), duke argumentuar se masat e propozuara, si ndërrimi i pompave të ngrohjes dhe pajisjeve të tjera me efikasitet energjetik, nuk mjaftojnë për të përmirësuar fuqinë ekonomike të Gjermanisë. “Gjermania ka nevojë për politika që fuqizojnë bizneset dhe qytetarët, jo për masa që rëndojnë mbi ta me rritje taksash dhe rregullime burokratike”, tha ai. Të Gjelbrit, përfaqësuar nga kandidati për kancelar Robert Habeck, u shprehën kundër pritshmërive të tepruara për përmirësime të shpejta pas zgjedhjeve të planifikuara për 23 shkurt. Habeck deklaroi se koalicionet e ardhshme do të kërkojnë kompromise të vështira dhe se nuk ka garanci që do të formohet menjëherë një qeveri e re.
Presidenti do të shpërndajë parlamentin
Presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas, deklaroi pas shpalljes së rezultatit të votimit nominal se kancelari federal nuk e kishte arritur shumicën e nevojshme prej 367 deputetësh që do t’i shprehnin besimin. Ajo tha se rezultati i votimit do t’i përcillet tani Presidentit Federal, Dr. Frank-Walter Steinmeier. I ciili pritet të shpërndajë parlamentin.
Kërkesa për votëbesim nga Scholz erdhi si pasojë e shpërbërjes së koalicionit qeverisës, pasi partnerët nuk mundën të binin dakord për reformat kryesore. Kjo procedurë mbështetet në nenin 68 të Kushtetutës
Gjermane, i cili përcakton se kancelari mund të kërkojë votëbesimin në Bundestag.
Në historinë e Gjermanisë, votëbesime të ngjashme kanë ndodhur vetëm gjashtë herë, përfshirë rastet e kancelarëve Willy Brandt dhe Gerhard Schröder.
Si nisi kriza qeveritare në Gjermani?
Kriza qeveritare në Gjermani u shkaktua nga mosmarrëveshjet e brendshme në koalicionin tripartiak. SPD dhe Të Gjelbrit kërkonin më shumë investime për tranzicionin energjetik dhe infrastrukturë, duke propozuar ndryshime në “frenën e borxhit” të Kushtetutës, e cila kufizon borxhin publik. FDP, si parti pro-tregut, refuzoi këtë qasje, duke e bllokuar koalicionin. Largimi i Christian Lindner, Ministrit të Financave, ishte pika kulmore që çoi në shpërbërjen e qeverisë. Scholz e akuzoi atë për pengimin e reformave të domosdoshme për ekonominë dhe për të përballuar sfidat si tranzicioni energjetik dhe mbështetja për Ukrainën.
Kriza qeveritare e Gjermanisë ndodh në një kohë kur Gjermania përballet me sfida të mëdha: lufta në Ukrainë, kriza ekonomike, mungesat investimeve në dekadat e fundit në ushtri, infrastrukturë dhe ekonomi, e ka rritur presionin ndaj votuesve gjermanë. /DW