Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim që parashikon dërgimin e ushtarëve shqiptarë për të trajnuar forcat ukrainase në një nga bazat e NATO-s në Wiesbaden, Gjermani.
Misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është të kontribuojë në dhënien e ndihmës dhe trajnimit të personelit të Forcave të Armatosura të Ukrainës, thuhet në vendimin e qeverisë.
Në vendim theksohet se, pjesëmarrja e personelit do të ketë një kohëzgjatje prej tre vjetësh, me rotacion 180 ditë. Afati i misionit fillon të llogaritet nga data e dërgimit në mision. Periudhës së qëndrimit në mision i shtohen edhe ditët e qëndrimit për marrje e dorëzim detyre dhe të vonesave të transportit strategjik për ndërrimin me personelin e radhës.
Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë mision, përballon shpenzimet për dietat për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 lekë në ditë, përveç pagës mujore; akomodim; ushqim; lavanderi; ujë të pijshëm; energji elektrike; sigurimin e jetës; siguracion shëndetësor për ditët në udhëtim; mbështetje shëndetësore; shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare; transport; transportin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline; aktivitete social-kulturore në rastet e festave kombëtare gjatë kryerjes së misionit; çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së misionit.
Ky angazhim vjen si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të Shqipërisë për Ukrainën, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve ushtarake të këtij shteti që po përballet me agresionin rus.
/Argumentum.al