Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se Athina do ta mbështesë Shqipërinë në procesin integrues, por me kusht që ajo të respektojë minoritetin etnik grek.
“Mikja jonë Shqipëria e di se rruga drejt Bashkimit Europian është vazhdimisht e kushtëzuar dhe në thelb ne jemi rregullatorët e shpejtësisë me të cilën Shqipëria do të lëvizë drejt Europës”, tha zoti Mistsotakis.
Ai i bëri këto komente në Janinë, në ceremoninë e nisjes së punimeve të autrostradës që do të lidhë Janinën me Kakavijën.
Për gati një vit, hapja e bisedimeve me Shqipërinë, u mbajt peng nga Greqia, për shkak të arrestimit të ish kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, përfaqësues i pakicës greke.
Ai u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar nën akuzën për blerje të votave. Zoti Beleri u la i lirë në shtator të këtij viti, pasi fitoi mandatin si ligjvënës në Parlamentin Europian, si kandidat i partisë konservatore të zotit Mitsotakis, “Demokracia e Re”.
Kryeministri grek tha sot se Athina ka kërkuar përherë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por mbështetja për anëtarësim do të varej nga shpejtësia e përmbushjes së detyrimeve prej saj lidhur me të drejtat e pronave dhe të drejtave të tjera të minoriteti grek në Shqipëri.
Shqipëria, së bashku me Bosnjen, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë kërkojnë prej vitesh anëtarësimin ne BE dhe janë përfshirë në bisedime me Brukselin se si mund të përshpejtojnë reformat e nevojshme që të mund t’i bashkohen bllokut evropian prej 27 vendesh.
Por progresi ka ngecur, kryesisht për shkak të përparimit të ngadaltë në realizimin e reformave, por edhe si pasojë mungesës së dëshirës mes vendeve anëtare për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së.
Deklaratat e sotme të kryeministrit grek lidhur me procesin integrues të Shqipërisë u bënë përpara se ai të udhëtonte drejt Brukselit, për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.