Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X lidhur me sulmin në Magdeburg të Gjermanisë, ku një makinë hyri në turmën në tregun e Krishtlindjeve duke lënë pas disa të vdekur e dhjetëra të plagosur.
“Vërtet i tmerruar nga sulmi terrorist në Magdeburg, duke marrë jetë të pafajshme dhe duke plagosur shumë gjatë festimeve të Tregut të Krishtlindjeve. Shqipëria qëndron në solidaritet me Gjermaninë në këtë moment të dhimbshëm dhe ne mbetemi të bashkuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, shkruan Rama.
Gjthashtu Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në rrjetin social X lidhur me sulmin në Magdeburg të Gjermanisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Begaj thotë se ky sulm duhet dënuar në termat më të ashpër, teksa shpreh solidaritetin e Shqipërisë me Gjermaninë. Ai e cilëson sulmin si të tmerrshëm. Begaj thekson se Shqipëria qëndron fort në krah të popullit të Gjermanisë.
“Sulmi i tmerrshëm ndaj qindra njerëzve paqësorë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë duhet të dënohet me termat më të ashpër si një akt i ulët, i padenjë dhe i pajustifikueshëm.
Shqipëria qëndron fort në krah të popullit të Magdeburgut dhe të gjithë Gjermanisë në këtë rast, duke shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin më të thellë me familjet e viktimave.”, shkruan Begaj.
Ndërkohë Ministri Igli Hasani ka reaguar në platformën X lidhur me ngjarjen e rëndë në Magdeburg të Gjermanisë
‘Thellësisht të tronditur nga lajmi për sulmin mizor në Magdeburg, i cili ka lënë dhjetëra familje të shkatërruara gjatë një periudhe që duhej të ishte e gëzueshme.
Zemrat tona janë pranë viktimave, familjeve të tyre dhe popullit gjerman gjatë kësaj kohe të vështirë.’, shkruan Hasani në X.
Sipas informacioneve paraprake, deri më tani nuk ka shtetas shqiptarë të lënduar, njofton Ministria e Jashtme.
/Argumentum.al