Qeveria shqiptare ka vendosur ta bllokojë platformën TikTok në Shqipëri, ka thënë ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, gjatë prezantimit të Planit të Ri të Veprimit, një nismë e Ministrisë së Arsimit për të rritur sigurinë në shkolla.
Qasja në TikTok bllokohet për një vit të tërë duke filluar nga 1 janari.
“Për rritjen e sigurisë fizike dhe digjitale në shkolla dhe impaktin që sjellin rrjetet sociale, si dhe angazhimin e fëmijëve, kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë masash që po punojnë autoritetet përkatëse,” tha Manastirliu.
“Jemi të ndërgjegjshëm se tek nxënësit po rritet nevoja për mbështetje multidisiplinare, sidomos për sa i përket mbështetjes psiko-emocionale dhe adresimit të shqetësimeve të moshës. Për këtë arsye, kemi planifikuar shtimin e 350 punonjësve psikosocialë, duke arritur në 1,200 brenda dy viteve të ardhshme. Bashkë me partnerët tanë të shoqërisë civile dhe institucioneve akademike, do të ngremë një Rrjet Kombëtar për Sigurinë Online, që do të ndihmojë në mbrojtjen digjitale të nxënësve”, shtoi ministrja.
Kryeministri Edi Rama tha se tashmë është bërë një plan masash konkrete për bllokimin e TikTokut.
“Kemi bërë hulumtime dhe do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i janarit dhe për 1 vit plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do ketë. Gjatë atij viti do shohim si do veprojnë vendet, çfarë do nxjerrë teknologjia për filtra, si do reagojë vetë TikToku”, tha Rama
Në Tiranë është mbajtur takimi përmbyllës i këshillimit kombëtar me mësues e prindër, ku u prezantua plani i ri i veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë dhe sipas autoriteteve ngritjen në një nivel të ri të marrëdhënies shkollë-nxënës-prindër.
Nisma në fjalë vjen pas vrasjes nga një bashkëmoshatar i tij të një nxënësi 14-vjeçar muajin e kaluar dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe online.
Në fjalën e tij në këtë takim, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se janë në proces për të ndërtuar Institutin e Fëmijëve në Konflikt me Ligjin që sipas tij është një institut që është një model evropian.
“Ne TikTok-un do ta mbyllim për një vit. Kini parasysh që në ndërkohë kemi bërë të gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6 deri në 8 javë, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për një vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë”, u shpreh Rama.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se në një kohë kur sfidat teknologjike janë të pashmangshme, siguria fizike dhe digjitale është prioritet.
Sipas ministres, plani i veprimit synon të forcojë masat kundër dhunës, bullizmit dhe kërcënimeve digjitale, duke “ndërtuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për fëmijët”.
Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë
Më 18 nëntor, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe një tjetër u plagos.
Kjo ngjarje shkaktoi reagime të organizatave të shoqërisë civile, partive politike dhe prindërve, si dhe protesta në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.
Nga ana tjetër, pas ngjarjes kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi nisjen e një konsultimi dhe këshillimi publik me komunitetet e prindërve në të gjitha shkollat e vendit, lidhur me bllokimin e plotë ose kufizimit të rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat.