REAL POLITIK NR. 100
15 NENTOR – 22 DHJETOR 2024
Komente “ flash” mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur,
DR. JORGJI KOTE
1.Samba diplomatike braziliane merr shkas nga danci emblematik brazilian dhe u shfaq bindshëm më 19 – 20 Nëntor në Rio de Janeiro gjatë Samitit të 20 vendeve më të zhvilluara ekonomike të botës, ose G 20; tejet e rëndësishme mbasi ky grupim ka 2/3 e popullsisë botërore, ai jep 80 për qind të GDP-së dhe 75 për qind të tregtisë planetare. Domethënëse që ky Samit u mbajt në Brazilin me rreth 215 Milion banorë, fuqia më e madhe ekonomike në atë rajon. Politika e jashtme e të cilit përmblidhet “Ne mundet ta kemi mirë me të gjithë“ dhe i referohet pikërisht valles së famshme braziliane, si mboli dhe kryemarka kulturtore e tij në botë. Ishte dhe një provë e lidershipit të presidentit të tij, Louiz Inacio Lula da Silva, një vit mbas rikthimit në pushtet dhe ideatori i diplomacisë moderne braziliane.
G 20 arriti konsensus minimal për luftën Rusi/Ukrainë, duke u mjaftuar me fraza të tilla “dhimbjet, vuajtjet dhe ndikimet negative të luftës për sigurinë ushqimore dhe energjitike“ dhe “ G 20 përkrah të gjitha nismat për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme“. Po ashtu, lidhur me krizën në Lindjen e Mesme asgjë për Hamasin, vetëm thirje për « të mbështetur propozimin amerikan për armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve“. Minimal ishte konsensusi dhe për daljen nga kriza klimatike. Pa ndonjë rezultat konkret, me përjashtim të miliarda dollarëve që do të vihen në dispozicion. Dhe për ndalimin e lëndëve djegëse fosile, samiti u mjaftua me frazën “të ndalohen subvencionet jo efikase lidhur me lëndët djegëse fosile“ Gjithsesi, Brazili si kryesues i G 20 dhe Presidenti i tij Lula siguruan konsensusin e të gjithë liderëve të G 20 për dy pikat më të rëndësishme politike për diplomacinë braziliane: e para, në Deklaratën përfundimtare shprehet dakordësia për ”krijimin e një Aleance Globale kundër Varfërisë dhe Urisë” Konkretisht u caktua objektivi që deri në vitin 2030, 500 milionë njerëz në Jugun Global të dalin nga varfëria nëpërmjet ndihmave sociale, fondeve monetare, etj. Arritja tjetër e shënuar dhe pse jo e plotë për Presidentin Lula ishte konsensusi në parim për propozimin e tij mbi vendosjen e një takse mbi 2800 persona super pasanikë, edhe pse pa arritur konsensusin për një shifër konkrete. Për rrjedhojë, do të përfitoheshin çdo vit 250 miliard euro të cilat do të përdoreshin sërish për të luftuar varfërinë, urinë dhe aspekte të tjera sociale.
2. Të gjithë në Kiev por….Edhe gjatë kësaj periudhe vështirë të ketë mbetur lider europian dhe perendimor pa shkuar në Kiev apo pa u takuar me Presidentin Ukrainas Zelenski. Me mesazhe mbështetjeje, ndihma ekonomike dhe ushtarake, tejet të nevojshme tani kur lufta po hyn në vitin e katërt. Ishte atje Kancelari gjerman Scholz, lideri i opozitës Friedrich Merz, ndërsa më 1 Dhjetor filluan ditën e parë të punës jo në Bruksel por në Kiev Presiedenti i ri i Këshillit Europian Antonio Costa, Shefja e Politikës së Jashtme Kaja Kallas dhe të tjerë. Veçse këtë radhë, për shkak të gjendjes jo të mirë për Ukrainën në frontin e luftimeve dhe paparashikueshmërinë e zgjatjes së tyre, logoja e këtyre takimeve ishte arritja e paqes, armëpushimi, zgjidhja diplomatike, me versione nga më të ndryshmet. Tanimë dhe vetë Zelenski nuk përjashton një paqe qoftë dhe duke lëshuar pjesë nga territori i pushtuar, por me kusht anëtarësimin në NATO. Mirëpo kjo është e papranuesheme për Rusinë, e cila falë avantazheve në fushëbetejë po kërkon më shumë për në tryezën diplomatike, në pritje dhe të ardhjes së Trump në Shtëpinë e Bardhë.
3. Kartolinë politike për Macron: Rihapja e Katedrales emblematike të ”Notre Dame” më 7 Dhjetor në Paris ishte ngjarja më e madhe kulturore e vitit për Francën dhe qytetërimin perendimor. Ceremonia solemne ishte mundësi e artë sidomos për Presidentin Macron, për imazhin e tij dhe për të ngrohur shpirtrat e trazuar francezë. Mbas rrëzimit të qeverisë Barnier dhe pikpyetjeve të shumta mbi të ardhmen politike të Francës, janë shtuar sfidat dhe frika për një Francë të paqeverisshme. Këtij qëllimi i shërbeu dhe prania e Presidentit të zgjedhur Trump dhe e 47 liderëve të tjerë botërorë. Rast i volitshëm për Macron për t’u bërë ndërmjetës i besueshëm i BE-së me Trump dhe si protagonist i zhvillimeve të reja pozitive lidhur me një paqe të mundshme me Rusin. Ndaj dhe organizoi takimin tripalësh me Trump dhe Zelenskin.
4. Fituesit dhe humbësit politikë të Damaskut: Shembja e sundimit mizor 54 vjeçar sirian ”Assad” më 8 Dhjetor vazhdon të komentohet gjerësisht si një ngjarje e madhe gjeopolitike me shumë parashikime dhe paqartësi lidhur me të ardhmen e saj dhe të krejt rajonit. Padyshim, krahas forcave rebele, fituesi më i madh i saj është Turqia dhe Presidenti Erdogan, si mbështetsi i rebelëve fitimtarë. Humbësi më i madh është Rusia dhe Putini, mbështettetësja kryesore e tij, Irani dhe gjeopolitika e tij bashkë me Hamasin, Hizbullahun dhe Futhët, ” ushtritë rezervë të Iranit” siç njihen. Përfitime kanë BE-ja dhe SHBA-të, paqja, siguria dhe stabiliteti në rajon; tashmë janë të gjitha sfidat por dhe mundësitë për të shpalosur një politikë tjetër efektive dhe paqebërëse në atë rajon shpërthyes.
5. Negociatat po ecin por kujdes! Më 17 Dhjetor u çelën negociatat dhe për Grupin e Pestë të kapitujve që lidhen me politikën e jashtme me BE-në. Arritje tjetër mbas çeljes më 15 Tetor në Luksemburg të Grup Kapuitujve të parë. Nga ana praktike dhe psikologjike ky lajm shërbën si nxitës për realizimin e objektivit 2030. Ca më tepër se ky është kapitulli më i lehtë, mbasi ne e kemi linjëzuar politikën tonë të jashtme me atë të BE-së. Ka disa probleme me tregtinë e jashtme, etj, por besohet se ky kapitull do të mbyllet i pari dhe shpejt pa probleme.
Ndërkohë, mbeten për t’u hapur dhe 4 grup kapitujt e tjerë, ndoshta brenda vitit të ardhshëm. Kësisoj, mbeten 2 vjet për përfundimin e negociatave, dmth më 2027, sepse do të duhen të paktën 2 vjet për ratifikimin e Traktatit të aderimit, me qëllim që procesi të mbyllet në vitin 2030.
Megjithatë, ” me të thënë dhe me të bënë na ndan një det i tërë”. Ka probleme dhe pengesa me kapitujt mbi bujqësinë, konkurrencën, tregun e brendshëm, që do na marrin kohë. Ndaj, në vend të premtimeve, profecive dhe euforisë, le t’i shtrohemi punës, sipas parimit ” hapat, pastaj datat”.
© 2024 Argumentum