Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, ka theksuar se viti 2024 ka qenë një vit shumë i suksesshëm dhe i mbushur me vizita të ndërsjella dhe aktivitete të shumta, duke reflektuar marrëdhëniet e forta mes Türkiyes dhe Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat Ambasadori Atay foli për partneritetin strategjik mes Türkiyes dhe Shqipërisë, vizitat e ndërsjella të nivelit të lartë, marrëveshjet mes dy vendeve, aktivitetet e institucioneve turke në Shqipëri, bashkëpunimin në samite dhe nisma rajonale mes dy vendeve, si dhe u ndal edhe në sulmet izraelite ndaj Gazës, vrasjet e civilëve të pafajshëm dhe çështje të tjera.
Ambasadori Ataty u shpreh se ngritja e marrëdhënieve në nivelin e partneritetit strategjik mes Türkiyes dhe Shqipërisë është bërë me miratimin e të dy shteteve.
Ai veçoi vizitën zyrtare të presidentit Recep Tayyip Erdoğan më 10 tetor, të ministrit të Jashtëm, Hakan Fidan në fund të janarit, mbledhjet në Ankara dhe Tiranë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë me pjesëmarrjen e liderëve dhe zyrtarëve të lartë nga dy vendet dhe hapjen e Xhamisë së Namazgjasë, e ndërtuar me kontributin financiar të Türkiyes.
“Në muajin tetor kemi pasur edhe vizitën e presidentit tonë, Recep Tayyip Erdoğan, ku u arrit që edhe Xhamia e Namazgjasë të inaugurohet. Besoj se inaugurimi Xhamisë së Namazgjasë është një nga zhvillimet më të rëndësishme, me kuptimplota dhe më domethënëse për mbarë shqiptarët, për të cilët do të ofrojë shërbime për të gjitha shtresat”, tha Atay.
Ambasadori turk theksoi se për vëllimin tregtar mes dy vendeve krahasuar me vitin e kaluar ka një rritje goxha të lartë dhe shtoi në fund të vitit shpresojmë që të arrijë në 1 miliard dollarë.
Duke folur për sulmet e Izraelit në Gaza, ambasadori Atay tha se ajo që i shqetëson po ta shikojnë edhe nga politikat e Türkiyes kanë qenë bombardimet dhe sulmet e Izraelit ndaj Gazës dhe ndaj njerëzve të pafajshëm.
“Ka qenë gjenocid që po aplikohet nga shteti izraelit. Njëkohësisht presim nga Shqipëria që të tregojë pak më tepër ndjeshmëri ndaj këtij zullumi, padrejtësie dhe gjenocidi që po ushtrohet në Gaza gjatë kësaj lufte të përgjakshme”, tha Atay.
Ai gjithashtu theksoi se Shqipëria ka shënuar shumë zhvillime pozitive, veçanërisht në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. “Ka qenë hapja e negociatave për grup-kapitujt e parë në muajin tetor dhe uroj nga zemra që ky proces në drejtim të integrimit në Bashkimin Evropian të mbyllet sa më parë”, tha Atay.Ambasadori turk theksoi se shpresojnë që edhe në muajit e ardhshëm të vitit 2025 vizita e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Türkiyes dhe në kuadër të vizitës mbledhja e radhës e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë të sjellë shumë produktivitet.
/Argumentum.al