Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se sot është një ditë e shënuar. Sipas saj, lajmi për uljen e çmimit të energjisë elektrike i adresohet performancës pozitive të KESH, OST dhe OSHEE.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Balluku foli për faktet që kanë mbështetur uljen e çmimit të energjisë elektrike.
“Kur çmimet janë rritur në shumë sektor, çmimi i energjisë elektrike ulet dhe kjo vjen për shkak të performacës së sektorit dhe kompanive nga KESH, OST dhe OSHEE. OSHEE është kompania më e madhe në vend me 6 mijë punonjës, që mban peshën kryesore me klientët.
Ndërkohë që të tre kompanitë me koordinim nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës kanë punuar në këto vite me synimin për të arritur kërkesën e qeverisë për uljen e çmimit të energjisë për konsumatorët dhe ia dolëm, pasi kemi përmbushur kushtet teknike. Niveli i humbjeve në rrjetin energjetik është ulur në 17,93% krahasuar me nivelin 46% që ishte në vitin 2012 dhe ndërkohë proceset e investimeve do ta sjellin nivelin e uljeve vjetore në nivelet e vendeve të BE-së. Sot 1% ulje korrespondon me 7 milionë lekë kursim për OSHEE-në”.
Gjithashtu tha Balluku, është rritur norma e arkëtimeve të OSHEE-së.
“Në vitin 2012 niveli i arkëtimeve ishte 65% e energjisë së shitur, ndërsa në vitin 2023 niveli i arkëtimeve arriti në 99,3% dhe në 2024 arkëtimet shkuan në nivelin 100,5%, ku 0,5% është mbledhja e detyrimeve të prapambetura”, u shpreh ajo.
Balluku u ndal edhe në ecurinë e çmimit të energjisë elektrike gjatë dekadës së fundit.
“Në vitin 2005 çmimi i energjisë ishte i ndarë në dy fasha, që nga analizat që kemi bërë nuk ka rezultuar e studiuar. Fasha 210 kwh në vitin 2005 paguhej me 4,5 lekë dhe fasha mbi 210 kwh paguhej me 9 lekë. Në vitin 2006, këto dy fasha u bashkuan duke nxjerrë një çmim të ponderuar prej 7 lekësh. Në 2008 fashat rindahen nën 300 kwh paguhet me 7 lekë dhe mbi 300 kwh paguhet me 12 lekë. Në vitin 2010 regjistrohet çmimi më i lartë historik të aplikuar ndonjëherë dhe kemi fashën nën 300 kwh që paguhet me 7.7 lekë dhe ajo mbi 300 kwh që paguhet me 13,5 lekë. Ky vendim u mor në vitin 2009 që vijoi deri në vitin 2015, kur qeveria mori vendim që fashat të hiqen pasi krijoj dhe një sërë abuzimesh të analizuara nga viti 2014 deri në 2015 dhe vendoset një çmim prej 9,5 lekësh, një çmim i unifikuar që do të jetë në fuqi deri në 1 shkurt 2025”.
Ajo theksoi se, “në këtë dekadë qeveria ka ndërmarrë nisma për diversifikimin e energjisë”.
Shqipëria nuk e ka në plan që të humbë vendin e parë në Ballkan dhe ndër vendet e para në Europë, sa i takon energjisë së rinovueshme. E kemi nisur këtë proces gjatë vitit 2019 dhe sot nëse i referohemi projekteve të subvencionuara nga qeveria shqiptare, por edhe projekteve private, sot performaca e burimeve fotovoltaike është e kënaqshme dhe synojmë që në dy vitet e ardhshme të kapërcejë mbi 1 gigavat.
Balluku tha se ka nisur puna për energjinë eolike dhe 222 mega do të vijnë nga ankandi shtetëror që është përmbushur me sukses. Por, ka edhe iniciativa private për ndërtimin e parqeve të vogla me 3 megavat, duke e çuar edhe këtë burim në nivelin e prodhimit të energjisë 300 megavat-orë.
E rëndësishme është pavarësia energjetike dhe synojmë në 2029 të jemi eksportues neto të energjisë, tha Balluku.
Balluku deklaroi se, “targeti i vendosur nga ministria është mbajtur me ritëm të qëndrueshëm me ulje vjetore, humbje mesatare vjetore si në BE”.
“Kush konsumon deri në 700 kw/orë paguan 8.5 lekë për kw/orë. Nuk është faturim me fashë, por me konsum dhe kush e kalon 700 kw/orë e paguan të plotë. Janë 1.070.000 abonentë, 95% e abonentëve që harxhojnë më pak se 700 kw/orë”, tha ajo.