Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet Richard R. Verma dhe e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takuan sot në Tiranë me Kryeministrin Edi Rama.
Sipas një postimi të ambasadës së SHBA në Tiranë, ata diskutuan mbështetjen e jashtëzakonshme të Shqipërisë për refugjatët afganë dhe Ukrainën dhe se sa jetik është integrimi në BE për të ardhmen e Shqipërisë.
“Zëvendëssekretari Verma përgëzoi Shqipërinë për përzgjedhjen për një marrëveshje kompakte me MCC, një mundësi për të bashkëpunuar në një program për rritjen ekonomike teksa Shqipëria ecën drejt integrimit të plotë europian”, thuhet në postim.
Zyrtari i lartë amerikan zhvilloi gjatë qëndrimit në Tiranë edhe takime me stafin e ambasadës ndërsa shprehu mirënjohje për mikpritjen në Shqipëri.
/Argumentum.al