Instalimi i paisjeve të shpëtimit për pushuesit në bregdet, kompletimi i paisjeve të kuzhinës dhe zgjerimi i infrastrukturës së dedikuar për fëmijët në Shtëpinë e Kujdesit në Elbasan, janë efekte të realizmit të projekteve zhvillimore me fondet e „Polish Aid” të Ambasadës së Republikës së Polonisë në Tiranë, në vitin 2024.
Në vitet e fundit, është i dukshëm zhvillimi dinamik i sektorit të turizmit në Shqipëri, me shifra rekord të ardhjes së turistëve të huaj. Si reagim ndaj problemit të mungesës së shërbimit institucional të shpëtimit të jetës në bregdet, sidomos në plazhe, Ambasada e Republikës së Polonisë, në kuadrin e fondeve të programit të ndihmës zhvillimore „Polish Aid” realizoi një projekt me qëllim rritjen e sigurisë së pushuesve në plazhet e Shqipërisë, nëpërmjet instalimit të paisjeve novatore të shpëtimit të jetës. Stenda e Jetës përmban një kamerdare shpëtimi dhe bidona pluskues, të integruar me një sistem alarmi me zë dhe drita, që lajmëron për rrezikun e jetës së pushuesve në det. Stendat janë të instaluara në mënyrë të përhershme në plazh, përmbajnë akumulator që furnizohet nga energjia diellore, si dhe një sistem drejtimi elektronik. Ky është një produkt novator, i projektuar dhe realizuar në Poloni. Secila nga Stendat e instaluara ështe e pajisur me kamerdare shpëtimi me litar dhe bidona pluskues. Heqja e kamerdares nga Stenda vë në punë menjëherë alarmin që dëgjohet deri në 1 kilometër larg. Stendat janë instaluar përgjatë 5 kilometrave të plazhit të Golemit, me udhëzime përdorimi në gjuhën shqipe dhe angleze. Projekti u realizua në bashkëpunim me organizatën shqiptare AFPRA (Shoqata Shqiptare për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin).
Një nga prioritetet konstante të ndihmës zhvillimore të Ambasadës së Republikës së Polonisë mbetet prej vitesh dhënia e mundësive të barabarta për individët që kërcënohen nga marginalizimi shoqëror. Në Shtëpinë e Kujdesit në Elbasan, ku janë të angazhuara Motrat e Nënës Terezës, strehohen me qëndrim afatgjatë disa fëmijë me shkallë të ndryshme paaftësie, në pritje të adoptimit. Përveç kësaj, institucioni ofron ndihmë të përditshme për ushqimin, higjenën, si dhe sigurimin e kujdesit për fëmijë vendas që vijnë nga mjedise të marginalizuara, përfshirë fëmijë romë. Ambasada e Republikës së Polonisë iu vendosi në dispozicion paisje që përmirësojnë funksionimin e përditshëm të institucionit, si dhe kontribuoi në zgjerimin e infrastrukturës së dedikuar për fëmijët. U montuan panele diellore me qëllim përmirësimin e sistemit të ngrohjes së ujit, si dhe u shtuan paisjet gastronomike. Ne kuadrin e infrastrukturës për fëmijët, u shtuan paisjet e jashtme dhe të brendshme të këndeve të lojrave, si dhe u blenë paisje për fjetoren dhe mensën e fëmijëve.
Gjithashtu, në kuadër të vazhdimit të projektit të forcimit të potencialit dhe aftësive të Zjarrfikësve shqiptarë, në sajë të mbështetjes së Qeverisë së Republikës së Polonisë, dhe në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin në Shqipëri, në vitin 2024 u vendosën në dispozicion tre automjete zjarrfikëse, të destinuara për bashkitë e Lezhës, Fierit dhe Pogradecit, si dhe u përurua selia e re e Zjarrfikësve në qytetin e Fierit.
Aktualisht, Ambasada po identifikon fushat dhe përfituesit e rradhës për mbështetje në kuadrin e projekteve të planifikuara për realizim në vitin 2025.
/Argumentum.al