Analizë nga Dr. Arben Fetoshi dhe Dr. Gurakuç Kuçi
Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”
Politizimi i fesë dhe etnizimi i praktikave fetare kanë qenë mjete të fuqishme të strategjisë nacionaliste të Serbisë, sidomos në raportin e saj me Kosovën. Ngjarjet fetare si Krishtlindja apo Viti i Ri Ortodoks janë shfytëzuar gjithmonë si platforma për promovimin e nacionalizmit nga grupet serbe në Kosovë. Në këto festime që përziejnë traditën me besimin fetar, serbët prezantojnë fytyrën e Djallit që thirret në emër të Zotit. Me thirrjet nacionaliste dhe duke ushqyer ndjenja shoviniste ndaj shqiptarëve, ata e “adhurojnë” nxitjen e urrejtjes, tensioneve ndëretnike dhe minimin e bashkëjetesës paqësore në rajon.
Strategjia e Serbisë për ngjizjen e religjionit me politikën mbështetet fuqimisht nga aleatja e saj, Rusia, duke i dhënë asaj një shtrirje ndërkombëtare. Fenomeni i etnizimit fetar nuk kufizohet vetëm në Kosovë, por është pjesë e një strategjie më të gjerë për shtrirjen e ndikimit serb në Ballkanin Perëndimor dhe për ta sfiduar sovranitetin e Kosovës përmes mjeteve të sofistikuara hibride, duke përfshirë propagandën, narrativat e rrejshme historike dhe manipulimin politik.
Një element kyç i kësaj strategjie është Lista Serbe – një subjekt politik që funksionon si instrument i drejtpërdrejt i Beogradit. Përmes praktikave të saj politike dhe kontrollit të komunitetit serb në Kosovë, Lista Serbe ka shërbyer si urë lidhëse midis politikave nacionaliste të Serbisë dhe veprimeve konkrete që synojnë të minojnë stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës. Kjo përfshin organizimin e provokimeve të qëllimshme, përdorimin e simbolikës fetare, si dhe krijimin e një klime të vazhdueshme tensioni përmes narrativave propagandistike dhe retorikës nacionaliste.
Në këtë analizë trajtohen mënyrat se si Serbia ka përdorur “festimet fetare”, simbolikën historike dhe mekanizmat politikë si Lista Serbe, për instrumentalizimin e besimit fetar dhe avancimin e qëllimeve të saj hegjemoniste. Fokusi i analizës konsiston në evidentimin e përdorimit të këtyre strategjive për të nxitur tensionet ndëretnike dhe për të penguar stabilitetin e Kosovës si një shoqëri demokratike e multietnike.
Kisha kundër Zotit: simetria serbo-ruse e instrumentalizimit të fesë
Festimet e Krishtlindjeve Ortodokse në Kosovë nga grupet serbe janë shoqëruar me një proces të thellë etnizimi dhe politizimi, duke u shndërruar në platforma për promovimin e agjendave politike. Në vend që ato të përqendroheshin në dimensionin shpirtëror dhe figurën e Krishtit, vëmendja ishte e drejtuar sërish kah Kosova me thirrjet nacionaliste, duke ndjekur një model të ngjashëm me praktikat e së kaluarës. Kësisoj, kishat serbe, në vend që të shërbejnë si institucione fetare që përhapin fjalën e Zotit, ato janë instrumentalizuar në shërbim të një politike etnocentrike, duke minuar thelbin e tyre shpirtëror dhe rolin e tyre paqësor.
Provokimet serbe gjatë festimeve të Krishtlindjes Ortodokse në Kosovë kanë nisur nga vende që mbartin plagë të thella historike dhe simbolika të dhimbshme për popullin shqiptar. Një shembull i tillë është Babin Most i Obiliqit, një zonë e njohur për krimet e luftës së viteve 1998-1999, përfshirë dhunimet seksuale ndaj grave shqiptare, siç është rasti tragjik i Vasfije Krasniqit dhe shumë viktimave të tjera. Në këtë vend, siç shihet edhe në fotografinë e mësipërme, festimet fetare u shndërruan në një platformë për shfaqjen e simbolikave kombëtare serbe e ruse, duke forcuar narrativat politike dhe lidhjet strategjike mes këtyre dy vendeve.
Shfaqja e flamurit rus dhe atij serb, në një mjedis që duhej të përfaqësonte frymën shpirtërore festive, tregon qartë dimensionin politik të këtyre festimeve. Ky akt është një reflektim i marrëdhënieve të ngushta mes Serbisë dhe Rusisë, të ilustruara nga qendra ruse në Nish, refuzimi i Serbisë për të vendosur sanksione kundër Rusisë për luftën në Ukrainë, si dhe qëndrueshmëria e lidhjeve të tyre politike e strategjike.
Festimet e ashtuquajtura “religjioze” shërbyen gjithashtu si një platformë për të demonstruar përkrahjen ndaj Rusisë dhe për të përvetësuar taktikat e saj propagandistike kundër Kosovës. Kjo dukuri mbetet po aq aktuale sa në fillimet e luftës në Ukrainë, siç tregohet nga përdorimi i simbolit “Z”, një emblemë e lidhur me agresionin rus dhe thirrjet për veprime luftarake kundër Kosovës.
Një shembull i qartë i këtij fenomeni u shfaq në Zhitkoc të Zveçanit, ku përdorimi i këtij simboli dhe mesazhet që ai bart tregojnë për aplikimin e modelit rus si pjesë e retorikës dhe aksioneve nacionaliste serbe. Shfaqja e simbolit “Z” në këtë kontekst nuk është thjesht një provokim, por një sinjal i qartë i orientimit strategjik dhe përforcimit të tensioneve rajonale përmes simbolikës së huazuar nga konfliktet globale.
Në vazhdim të politikave provokuese dhe përdorimit të festimeve “religjioze” si mjet për promovimin e agjendave etnike dhe politike, në Shillovë të Gjilanit u organizua një tubim ku mesazhet nacionaliste arritën një tjetër nivel. Një grup serbësh shpalosën një flamur me mbishkrimin: “Sërish, zjarri i Nemanjiçëve shpëton, ndërton dhe krijon Kosovën! Shillovë”. Ky mesazh, i ngarkuar me simbolikën e glorifikimit të dinastisë së Nemanjiçëve, shërben për të ripërtërirë narrativat mesjetare që theksojnë pretendimet serbe mbi Kosovën, duke u mbështetur në mitologjinë kombëtare si një mjet për mobilizim dhe përçarje ndëretnike.
Këto veprime janë përpjekje e qëllimshme për të rivendosur ideologjinë historike në funksion të një agjende moderne nacionaliste dhe politike. Kjo qasje ka një paralele të qartë me retorikën e Vladimir Putinit për të ringjallur madhështinë e kaluar të Rusisë, duke justifikuar veprimet agresive përmes glorifikimit të periudhave historike të fuqisë dhe dominimit. Përdorimi i mesazheve të tilla në tubime të organizuara me simbole dhe flamuj serbë është një vazhdimësi e përpjekjeve për ta përdorur mitologjinë si një armë propagandistike me qëllim të minimit të stabilitetit dhe nxitjes së tensioneve ndëretnike në Kosovë.
Ndërveprimi mes këtyre mesazheve dhe kontekstit të përgjithshëm të festimeve “religjioze” tregon për një strategji të qartë të sinkronizuar, ku elementet fetare, historike dhe politike përdoren në mënyrë të ndërthurur për të përforcuar lidhjet mes Serbisë dhe Rusisë, duke minuar përpjekjet për paqe dhe bashkëjetesë në rajon.
Në vazhdim të skenarëve të orkestruar nga grupet serbe në Kosovë, baneri me mbishkrimin “Ne po vijmë për Krishtlindje”, i shfaqur në komunat veriore në nëntor të vitit të kaluar, para sulmit terrorist në infrastrukturën kritike në Ibër Lepenc*, shërbeu si një paralajmërim provokues dhe simbol i mobilizimit politik nën maskën e festimit fetar. Ky mesazh, në kontekstin e retorikës së vazhdueshme nacionaliste kundër Kosovës, nuk ishte thjesht një element simbolik, por një thirrje e drejtpërdrejt për përshkallëzim të konflikteve dhe krijim të frikës mes komuniteteve lokale.
Provokimet me flamuj çetnikë nuk u ndalën as nga Leposaviçia. Në fshatin Popovc të kësaj komune, një grup serbësh është fotografuar duke festuar me flamurin çetnik dhe simbole tjera nacionaliste (madje nuk kursyen as fëmijët), një shembull i qartë i instrumentalizimit të simbolikës fetare dhe etnike për agjenda politike. Këto veprime nuk janë vetëm provokime lokale, por pjesë e një strategjie më të gjerë që shfrytëzon festimet dhe simbolikën historike për të nxitur nacionalizmin dhe tensionet ndëretnike.
Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, Policia e Kosovës, në koordinim me KFOR-in, rriti vigjilencën për të garantuar stabilitetin dhe për të parandaluar që këto provokime të ktheheshin në incidente më të rënda. Plani operacional i zbatuar synonte të përballonte një situatë të cilësuar si rrezik i nivelit të lartë, duke marrë parasysh natyrën e thirrjeve dhe atmosferën e krijuar nga aktorët që synonin destabilizimin e Kosovës.
Në të njëjtën kohë, përpjekjet për të fshehur qëllimet e vërteta të këtyre veprimeve u mbështetën nga platforma propagandistike si Russia Today. Përmes narrativave të manipuluara, kjo medie ndërkombëtare e shtrembëroi situatën, duke u përpjekur t’i prezantonte festimet si një shfaqje paqësore dhe shpirtërore. Përmes kësaj strategjie propagandistike ajo synonte dezinformimin e audiencës globale dhe justifikimin e akteve destabilizuese, ndërkohë që në terren, veprimet kishin një karakter qartësisht provokues e të mirëplanifikuar.
Nga nacional-religjioni te proxy politika
Në vazhdën e shfrytëzimit të festimeve të Krishtlindjes Ortodokse për të forcuar nacional-shovinizmin ndërmjet serbëve, Lista Serbe reagoi duke deklaruar se kjo parti është “mburoja e mbrojtjes së interesave të serbëve dhe Serbisë në Kosovë”. Për më tepër, ajo akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për “mohimin” e të drejtës për të vëzhguar zgjedhjet e planifikuara për 9 shkurt. Kjo retorikë mbështetet nga një histori e gjatë manipulimesh dhe praktikash të dyshimta zgjedhore që kanë shoqëruar veprimtarinë e Listës Serbe.
Në të kaluarën, zgjedhjet kanë qenë të njollosura me raporte të shumta për manipulime dhe vjedhje votash nga ky subjekt, përfshirë kërcënime të drejtpërdrejta ndaj votuesve serbë. Një nga rastet më të rënda ka ndodhur në vitin 2021, kur Lista Serbe u përpoq të manipulonte skemën zgjedhore, duke shpërndarë votat në favor të partive jo-serbe të afërta me agjendat e saj, me qëllimin që të siguronte më shumë përfaqësues pro-Serbisë në Kuvendin e Kosovës. Për më tepër, klima e frikës është intensifikuar nga aktet ekstreme të dhunës ndaj disidentëve brenda komunitetit serb, siç është rasti i vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviç, një kritik i hapur i Listës Serbe.
Veprimtaria e Listës Serbe ka ndikuar rëndë në procesin demokratik brenda komunitetit serb në Kosovë, duke e shndërruar këtë subjekt politik në një organizatë që ndjek praktika autokratike, të ngjashme me strukturat e organizuara në mënyrë militante. Mirëpo, rënia e fuqisë së Listës Serbe ka ngjallur panik në Serbi, meqenëse ndikimi dhe kërcënimet e saj ndaj komunitetit serb në Kosovë po dobësohen gradualisht. Ky zhvillim mund të rezultojë në humbjen e të paktën disa vendeve të garantuara në Kuvendin e Kosovës për serbët, ku Lista Serbe aktualisht gëzon pozicion të fortë me 10 deputetë.
Rreziku qëndron në mundësinë e një përgjigje agresive nga Serbia dhe Lista Serbe për të rikthyer fuqinë e humbur, duke përfshirë potencialisht sulme hibride ose terroriste të reja kundër Kosovës. Këto taktika mund të përfshijnë edhe provokime më të rënda, si krijimi i incidenteve të fabrikuara për të fajësuar shqiptarët. Raste të tilla si masakra PANDA* në Pejë apo incidenti i Gjorgje Martinoviç* në Gjilan, mbeten shembuj të qartë të strategjive të tilla të rrezikshme dhe manipuluese, të cilat minojnë paqen dhe stabilitetin rajonal.
Një nga strategjitë kryesore të Listës Serbe është përpjekja për të nxitur shqiptarët të krijojnë incidente të cilat mund të përdoren si justifikim për propagandën e tyre. Megjithatë, këto përpjekje kanë rezultuar të pasuksesshme deri më tani, duke e bërë të qartë se narrativat e bazuara në provokime të drejtpërdrejta nuk po funksionojnë. Në mungesë të rezultateve në këtë drejtim, Lista Serbe dhe regjimi i Vuçiqit mund të kalojnë në një nivel tjetër strategjik: krijimin dhe manipulimin e vetë incidenteve, për të projektuar një realitet të rremë ku shqiptarët paraqiten si provokatorë.
Kjo qasje është thelbësore për ruajtjen e strukturës vertikale autokratike të regjimit të Vuçiqit dhe Listës Serbe. Ata veprojnë si gardianë të një mendësie provinciale, ku konflikti dhe armiqësia përdoren si mjete të qëllimshme për të shmangur vëmendjen e popullit serb nga mungesa e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, si dhe nga situata e një “okupimi mendor” që pengon shoqërinë serbe të avancojë drejt një demokracie funksionale. Çdo përpjekje për t’i dhënë popullit serb hapësirë për të dalë nga ky bllokim do të paraqiste një kërcënim i drejtpërdrejtë për pushtetin e Vuçiqit dhe rrethit të tij të ngushtë politik, dhe këta do e paraqesin pastaj si kërcënim për Serbinë.
Prandaj, strategjia e tyre është e bazuar në krijimin e një situate të përhershme tensioni dhe konflikti, duke përdorur propagandën, manipulimin e informacionit dhe provokimet e qëllimshme si mjetet kryesor për të siguruar stabilitetin e pushtetit të tyre. Për Vuçiqin dhe Listën Serbe, krijimi i armiqësive të vazhdueshme dhe konflikteve ndëretnike jo vetëm që shërben për të ruajtur pozicionin e tyre në Serbi, por gjithashtu për të minuar sovranitetin dhe stabilitetin e Kosovës brenda dhe në skenën ndërkombëtare.
* Më 30 nëntor 2024, një sulm terrorist në Varagë të Zveçanit dëmtoi rëndë infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë të Kosovës dhe Korporatës Energjetike të Kosovës, duke përdorur rreth 15 kg eksplozivë për të shpërthyer digën furnizuese dhe shkaktuar dëme serioze.
* Rasti “Panda” ndodhi më 14 dhjetor 1998 në Pejë, ku gjashtë të rinj serbë u vranë në një sulm në një kafene. Fillimisht, ngjarja iu atribua shqiptarëve duke u përdorur si propagandë nga regjimi serb për të justifikuar veprimet e tij ushtarake në Kosovë. Megjithatë, në vitin 2013, Aleksandar Vuçiq pranoi publikisht se ishte kryer nga vetë shërbimet serbe.
* Më 1 maj 1985, Gjorgje Martinoviç, një fermer serb nga Gjilani, Kosovë, raportoi një sulm të pretenduar nga persona të maskuar shqiptarë, duke deklaruar se ishte sulmuar seksualisht me një shishe. Hetimet e mëvonshme zbuluan se lëndimi ishte vetëprovokuar gjatë një akti masturbimi, sipas një raporti zyrtar të Akademisë Mjekësore Ushtarake në Beograd. Më pas, Martinoviç pranoi vetë se kishte inskenuar ngjarjen dhe se lëndimi ishte rezultat i një akti vetëprovokuar, duke e pranuar se kishte gënjyer për sulmin.
/Argumentum.al