Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në aktivitetin për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë shqiptare foli për vlerat dhe kontributin e komunitetit bektashi për Shqipërinë, ndërsa iu referua edhe librit të shkrimtarit kanadez Robert Elsie “Bektashinjtë shqiptarë”. Historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan”.
“Bektashizmi nuk është thjesht një sekt fetar, por është një dritë udhëzuese që shkon përtej kufirit të besimit duke ofruar një mesazh të paepur dashurie dhembshurie dhe largpamësie. Ajo çka e bën unikal në llojin e vet është se brenda këtij mesazhi në mënyrë të paekuivok tek largpamësia, bektashizmi ka edhe atdhedashurinë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se sot e gjithë ditën qasja e bektashizmit ndaj hyjnores dhe humanes mbetet një çelës komunikimi me krijuesin përmes një porte që është e gjerë dhe e hapur për të gjithë bektashinjtë ose jo, besimtarë ose jo.
“Zemra vlen mbi dogmën, shpirti mbi ritualet, dhe unitetit mbi ndarjet. Bektashizmi nuk erdhi në Shqipëri me ushtarë, nuk erdhi të futet mes shqiptarëve me forcën e shpatës, por me zemër dhe dashuri me një mesazh rrëqethës për nga thjeshtësia, Zoti nuk është në xhami, në teqe, apo kishë, por në zemër”, u shpreh Rama.
Duke vlerësuar kontributin e bektashinjve në formimin e shteti shqiptar, Rama tha se teqet u bën shkolla dhe një arsye se pse alfabeti ynë është latin, kjo i detyrohet në mënyrë të posaçme teqeve, ku krijuan një rrjet të tërë të përcjelljes së mësimit të Gjuhës Shqipe.
“Pastaj kur nisi të agoi dita e Rilindjes sonë Kombëtare, teqet u bënë shkollat shqipe. Nëse ne sot flasim shqip dhe alfabeti ynë është latin, kjo i detyrohet ndër të tjera, në mënyrë shumë të posaçme teqeve ku baballarët krijuan një rrjet të tërë të përcjelljes së alfabetit të mësimit dhe shkrimit e këndimit të Gjuhës Shqipe ku u farkëtua një pjesë e mirë e shpirtit tonë kombëtare, ku u bë bartësi i idesë dhe forcës për shpalljen e Pavarësisë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se bektashinjtë janë për shqiptarët një testament kombëtar.
“Mos të harrojmë, që Shqipëria është jo vetëm i vetmi vend në botë ku Bektashinjtë njihen zyrtarisht, por Shqipëria është vend i përcaktuar prej tyre dhe e përsëris kush flet duhet t’i marrë disa informacione nga historia. Ka një arsye në histori pse ata janë këtu dhe pse u bë trualli i mbijetesës së një komuniteti fetar që përndryshe do të ishte zhdukur. Ky nuk është thjeshtë një fakt historik, por për shqiptarët është një testament kombëtar. Testamenti i një fuqie që nuk vjen nga ndarjet për shkak se ne jemi këtu të ndryshëm, por vjen nga uniteti i të ndryshmeve për shkak se ne jemi njëlloj shqiptar. Bektashinjtë thesar shpirtëror i shqiptarëve. Është thesar shpirtëror edhe për myslimanët, katolikët, ortodoksët, protestantët edhe për çdo kënd tjetër pavarësisht se nuk beson farë në Zot, por i thotë vetes shqiptar”, tha Rama.
Rama the se duhet shpëtuar ky thesar i gjallë që kërcënohet nga zhdukja.
“Të gjithë të tjerët janë me shumë vëllezër e motra nga një cep i globit në një cep tjetër, bektashinjtë janë vetëm. Nëse erdhën këtu 95 vjet më parë si jetimë, të një perandorie që u tregoi derën Bektashizmi këtu nuk mund të vdesë si një jetim që shqiptarët t’i tregojnë rrugën, sepse do të ishte vrasja me duar tona dhe të gjithëve ne e një vlere shpirtërore që siç është brenda nesh sot duhet t’u përcillet brezit në emër të historisë shqiptare.
Roli i bektashizmit është roli i gardianit të kulturës dhe gjuhës sonë në histori. Bektashizmi shkruan Kadare ka qenë ura mes tokës dhe qiellit për shqiptarët. Ai ka qenë vendi ku identiteti ynë kombëtar ka mbijetuar përmes filozofisë dhe bashkimit. Janë thirrje për ta shpëtuar këtë thesar të gjallë që kërcënohet nga zhdukjet. Pse janë kaq pak sot, pyetja është me çfarë verbërie dhe me çfarë pashpirtësie ne do të qëndrojmë duarkryq dëshmitarë kur për 100-vjetorin të jenë më pak, në 105 vjetorin të kenë mbetur fare pak dhe në 110 vjetorin të jenë histori e së shkuarës. Nuk ja lejojmë vetes”, tha Rama.
Rama nënvizoi se ndërkohë që ky komunitet është në rrugën e shuarjes, duhet t’i japim bektashinjve përmes një statusit të ngjashëm si shteti i Vatikanit, fuqinë e një embleme, e cila nuk do të përçajë askënd.
“Nuk shkrihet dhe shuhet kurrë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, është i fortë dhe i madh dhe pjesë e një bashkësie 1.5 miliard, pra mjafton të shohësh kush dhe si ndërtohen xhamitë. E gjithë kjo botë myslimane s’ka nevojë të mendojë se nesër mund të jetë inekzistente. Nuk shuhet kurrë Komuniteti Katolik dhe as ai Ortodoks, ndërkohë që ky komunitet është në rrugën e shuarjes miqtë e mi nuk është parashikim, por një gjë që dhe po ndodh para syve tanë dhe prandaj historia e bektashinjve është në vetvete thirrja imponuese për t’i dhënë Selisë së Kryegjyshatës Botërore, përmes një statusit të ngjashëm si shteti i Vatikanit, fuqinë e një embleme, e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, e cila nuk do të vërë në diskutim integritetin e sovranitetit territorial të Shqipërisë. Jo Shqipëria është shtet unitar dhe jo federal”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se ky është trajtimi i merituar i një komuniteti që e ka qendër Botërore në Shqipëri.
“Komunitete e tjera fetare nuk kanë pse shqetësohen është trajtimi i merituar i një komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri. Të tjerët do ta kishin shpikur edhe sikur mos ta kishin, ne e kemi dhe jemi gati ta lëmë të vdesë”, tha Rama.