Arkëmorti i Kryepeshkopit Anastas Janullatos mbërriti sot në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Kortezhi me priftërinj shoqëruan arkivolin, ndërsa të shumtë ishin besimtarët që kishin dalë në rrugë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Kryepeshkopit.
Mëngjesin e sotëm, trupi i Kryepeshkopit Anastas Janullatos mbërriti në Kakavijë, ku pati një ceremoni nderimi. Besimtarë të shumtë, banorë të Dropullit dhe personalitete, kishin dalë ta prisnin arkëmortin që në pikën e kalimit kufitar. Kortezhi më pas kaloi në rrugën nacionale, pranë fshatrave minoritarë dhe në katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Gjirokastër u mbajt një meshë.
Kortezhi më pas u nis drejt kryeqytetit dhe rreth orës 16:00 mbërriti në Tiranë.
Me vendosjen e trupit të Kryepeshkopit Anastas, në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, kanë nisur homazhet, më vonë do të vijojë liturgjia deri në orët e para të ditës së mërkurë si dhe përshpirtjet.
Pritet që të mbërrijnë në Tiranë patriarkët më të rëndësishëm të Kishës Ortodoske (i Aleksandrisë, i Jerusalemit, i Rumanisë etj.).
Shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore. Shërbesa e funeralit që zakonisht zgjat nga 40 minuta, deri në 1 orë, në këtë rast është e paparashikueshme, për shkak se përveç Patriarkut të Kishës Ortodokse, pritet të marrin pjesë me fjalime edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ashtu edhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Trupi i Kryepeshkopit Anastas do të prehet në kriptën brenda katedrales që ai vetë ishte nismëtari për ta ndërtuar. Nga Kisha e Shqipërisë janë shpallur pesë ditë zie, nga data 25, deri më 29 janar 2025.