Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u mbajt ceremonia mortore e Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, prej prelatëve më të respektuar e të dashur të saj, Anastasit të Shqipërisë, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë.
Drejtues të kishave nga të katra anët e botës e kthyen Tiranën, kryeqytetin e ortodoksisë. Tre krerët e shtetit shqiptar, Presidenti Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, dhe kryeministri Edi Rama. Deputetë apo drejtues të partive politike u panë të kryenin homazhet Kryepeshkopit, mes të cilëve Kryeministri Rama dhe kryeopozitari Berisha.
Në meshën e lamtumirës i pranishëm ishtë edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis i shoqëruar nga ministra të kabinetit të tij qeveritar si dhe Kryepeshkopi i Athinës.
Në ora 11, mbërriti në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, kryeministri Rama së bashku me bashkëshorten dhe pak minuta pas tij edhe kryeministri grek Mitsotakis me delegacionin e kabinetit të tij.
Mesha e përshpirtjes po mbahet nga Patriarku Bartolomeu I, kreu botëror i Kishës Ortodokse.
Kreu i Këshillit Botëror të Kishave, Peshkopi Heinrich Bedford-Strohm: Kryepeshkopi Anastas ishte një autoritet i jashtëzakonshëm shpirtëror
Kryetari i Komisionit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave, Peshkopi Heinrich Bedford-Strohm në fjalën e tij u shpreh se “sot mblidhemi me dhimbje por në të njëjtën kohë me mirënjohje të thellë ndërkohë që çojmë shpirtin e Kryepeshkopit Anastas, në jetën e përtejme”.
“Për ne, Kryepeshkopi Anastas ishte një autoritet i jashtëzakonshëm shpirtëror, teolog mbresëlënës, me rrënjët e ngulura fort në traditë, e njëkohësisht me një horizont mrekullisht të gjerë. Ishte vëlla i dashur në Krisht që e donim të gjithë për përulësinë e dashurinë e tij”, u shpreh kreu i Komisionit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave.
Ai shtoi se Kryepeshkopi i ndjerë shërbeu jo vetëm si teolog vizionar por edhe udhëheqës pragmatik, duke kontribuar në misionin e Këshillit Botëror, për t’i sjellë kishat së bashku.
Për peshkopin Heinrich Bedford-Strohm, shkrimet teologjike të Kryepeshkopit Anastas për çështje kritike, mbeten burim i fuqishëm frymëzimi që inkurajojnë të krishterët në mbarë botën për të mbyllur ndasitë, për mirëkuptim të ndërsjellë e për të qenë të bashkuar në një botë kaq të ndarë.
Në përfundim të fjalës së tij, peshkopi Heinrich Bedford-Strohm tha se “ai ishte personifikimi i motos së kuvendit të fundit të Këshillit Botëror të Kishave, në vitin 2022: “Dashuria e Krishtit e çon botën drejt pajtimit e bashkimit”. Le ta vazhdojmë misionin e tij duke thelluar vëllazërinë tonë si të krishterë e duke u dhënë solidaritet gjithë njerëzve vullnetmirë”.
Mitsotakis: Kryepeshkopi Anastas Janullatos, “Diplomati i Dashurisë”, një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis deklaroi sot se Kryepeshkopi Anastas Janullatos hodhi themelet e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në fjalën e përmortshme në shërbesën e përcjelljes për në jetën e amëshuar të Kryepeshkopit, Anastas Janullatos, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Mitsotakis tha se, “guxojmë të shpresojmë”.
“Në këto fjalë përmblidhet mendoj e gjithë jeta dhe aktiviteti i këtij hierarki të cilin ne e përshëndesim sot sepse pikërisht guximi dhe shpresa ishin ato dy busulla orientuese që për herë e drejtonin Anastasin në këtë rrugëtim të tij të admirueshëm”, tha kryeministri grek.
Një rrugëtim, theksoi ai, “i cili ka qenë qëndrueshëm në krah të njeriut dhe të drejtave të tij. Një herë si apostull modest dhe i përulur, një herë tjetër si një mbështetës pa zhurmë në krah të studentëve gjatë periudhës së diktaturës në Greqi. Dhe sigurisht si një themelues madhor dhe një pionier, një pararendës i jashtëzakonshëm i ortodoksisë në Shqipëri”.
Pikërisht, theksoi Mitsotakis, “në këtë madhështi të një personaliteti të jashtëzakonshëm ne përulemi sepse kryepeshkopi i Tiranës, i Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë ishte njëkohësisht një intelektual i besimit, por edhe një shërbëtor i thjeshtë i njeriut që kishte në krah”.
“Me fjalë të tjera ka qenë një shembull i ndriçuar i aktivitetit të tij, madje mungesa e tij do të jetë e pazëvendësueshme, jo vetëm këtu në vendin e tij dhe për homogjeninë tonë, por për të gjithë vendet e tjera ku rreh zemra e helenizmit për të cilin ekzistoi në 10-vjeçarë një fener i vërtetë”.
“Një fener dashurie dhe kontributi, fisnikërie dhe thjeshtësie, bindjeje por edhe rezultatshmërie, një fener i ortodoksisë përmes besimit”, tha Mitsotakis.
“Shumica e të pranishmëve e dinë se çfarë arriti Anastasi që nga çasti i parë kur mbërriti në Shqipëri në vitin 1991, në një vend të rrënuar nga regjimi autoritar me të krishterët e persekutuar dhe bashkëkombësit tanë të lënë në harresë”, u shpreh ai.
“Gurët që na hedhin ata që luftojnë kundër veprës sonë thoshte shpesh me një buzëqeshje në fytyrë, ne i mbledhim dhe me to ndërtojmë kisha dhe shkolla. E thoshte dhe e nënkuptonte”, u shpreh Mitsotakis.
“Nuk është rastësi pra, theksoi Kryeministri i Greqisë, “që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por dhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë”.
“Kryepeshkopi ishte gjithmonë një urë miqësie midis dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve”, shtoi ai.
“Prandaj me plot të drejtë, mund të quhet “Diplomati i Dashurisë”, një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur”, tha Mitsotakis.
“Për grekët dhe ortodoksët në Shqipëri dhe kudo në botë, Anastasi ishte burim krenarie. Ai ishte një shërbëtor i palodhur dhe i përulur duke ofruar shpresë dhe gëzim shpirtëror për besimtarët ortodoksë kudo në botë”, theksoi Mitsotakis.
“Në urtësinë e tij teologjike dhe përulësinë e tij ai dëshmoi se Kisha Ortodokse mund të jetë një komunitet i gjallë dashurie dhe kujdesi shoqëror që bashkon popujt, prandaj sot të gjithë ndjejmë një trishtim të thellë, por edhe një ndjenjë përgjegjësie për trashëgiminë e rëndë që ai na la”, nënvizoi kryeministri Mitsotakis.
“Si bari shpirtëror ai ndërtoi kisha, si udhëheqës ai krijoi ura bashkëpunimi mes popujve dhe feve. Ai tregoi se mund të jesh njëkohësisht një grek i vërtetë dhe një figurë universale. U bëftë shembulli i tij një burim frymëzimi për brezat që do të vijnë dhe vepra e tij gjettë pasues të denjë e përcjellë me të njëjtat fjalë që ai vetë na la si amanet. “Guxojmë të shpresojmë”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Rama: Kryepeshkopi Anastas ringriti Kishën Autoqefale të Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot Kryepeshkopin Anastas Janullatos një zdrukthëtar këmbëngulës në ringritjen e ngrehinës së shkrumbuar të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.
Në shërbesën e përcjelljes për në jetën e amëshuar të Kryepeshkopit, Anastas Janullatos, Kryeministri Rama mbajti një fjalë në nderim të figurës dhe kontributit të tij prej disa dekadash në Shqipëri.
Kryeministri u ndal te roli i Kryepeshkopit Anastas në ngjalljen e trupit mistik të ortodoksisë shqiptare si dhe në marrëdhëniet e fqinjësisë mes Shqipërisë e Greqisë.
“Si një hierark i një bashkësie shoqërore historike me ndikim të madh në mozaikun kombëtar shqiptar, personi i Kryepeshkopit Anastas dhe vepra e tij në krye të kishës e të grigjës janë qëmtuar, janë admiruar, janë bekuar, janë qortuar e deri edhe janë anatemuar”, u shpreh Rama.
Rama tha se “pasionet më kontradiktore janë shfaqur në mexhelisin tonë kur ka ardhur puna te veprimtaria publike dhe qytetare e njeriut, i cili deshi apo s’deshi mori mbi supe deri edhe zjarret e konflikteve fëminore të fqinjësisë sonë të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e kishës”.
“Por, edhe kjo më së paku dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më e rrallë në një kohë e në një botë ku gjithnjë e më të shumtë janë ata që lëkunden nga fryn era dhe ku gjithmonë e më pak mundësi i lihet shpirtit të shenjtë të fryjë nga të dojë, siç shkruhet tek ‘Gjeneza’”, tha Rama.
“Kryeministri (Mitsotakis – shën. i red.) ma tha se askush nuk e vë dot në dyshim autenticitetin e angazhimit baritor të Kryepeshkopit Anastas”, tha Rama.
“Por përtej atyre zjarreve të ndezur si rrufe në qiell të pastër andej dhe këtej kufirit të rihapur pas gjysmë shekulli heshtje mortore dhe të shuara më pas si një hall në oborrin e përbashkët dhe përtej paragjykimeve dhe dyshimeve kronike të lagjes sonë ballkanike, askush dhe asnjëherë nuk e vë dot në dyshim autenticitetin e angazhimit baritor të Kryepeshkopit për grigjën që e gjeti të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë 33 vite më parë dhe që e bashkoi me përkushtim dhe durim të madh”, vuri në dukje Rama.
“Nuk kam për qëllim të bëj as nekrologjinë dhe as teologjinë e këtij prelati të cilin, për hirin e pamohueshëm të së vërtetës gjithë çfarë mban rruzulli me njerëz të nderuar të fesë, me intelektualë të angazhuar për paqen dhe përmes dialogut ndërfetar, në artizanë të komunikimit mes kulteve dhe kulturave dhe deri te çdo kryetar shteti dhe qeverie që e njohu, ia patën shumë zili Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se prania në këtë ceremoni e Kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis dhe delegacionit që e shoqëron jep mesazhin kuptimplotë të pandashmërisë në jetë dhe në zi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë.
Në përfundim të ceremonisë mortore të Kryepeshkopit Anastas, zhvilluar në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, arkëmorti me trupin e kryepeshkopit të ndjerë u nxor nga salla qendrore dhe u dërgua në kriptën e nëndheshme, ku do të prehet përjetësisht.
Kryepeshkopi Anastas kishte lënë amanet për t’u prehur në këtë katedrale, për të cilën ai vetë kontribuoi për ta ndërtuar.
Besimtarë të shumtë, qytetarë të Tiranës e jo vetëm, qëndruan deri në fund të ceremonisë në oborrin e katedrales ku ishte vendosur dhe një ekran i madh që mundësonte ndjekjen e ceremonisë si dhe fjalimeve të mbajtura me këtë rast.
Në rrugën drejt kriptës arkëmorti u shoqërua nga një numër i kufizuar klerikësh ortodoksë të cilët do të vijojnë ritualet përkatëse, ndërkohë që përfaqësuesit e shtetit, politikës, përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare, si dhe turma e besimtarëve lanë Katedralen.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, vdiq më 25 janar, në një spital të Athinës. Kryepeshkopi Anastas ishte 95 vjeç dhe prej disa kohësh nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas burimeve të Kishës Ortodokse, vdekja erdhi si pasojë e mosfunksionimit të disa organeve. Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse shpalli pesë ditë zie, nga data 25, deri më 29 janar 2025.
/Argumentum.al