Në një bashkëbisedim me banorë të njësisë Nr.11 në kryeqytet, me të cilët konsumoi edhe kafen e mëngjesit i pari i qeverisë, Edi Rama iu kthye sërish situatës politike. Ai u tregoi banorëve të zonës foton që kishte publikuar vetë në rrjetet sociale ku shihej një filxhan me kafe turke. “Doli në filxhan, mbaroi puna. Më doli në filxhan 30-ta. Ishte kështu si gjarpër, si kular. U shkëput gjarpri dhe formoi një 3 dhe një 0,“– tha Rama dhe të gjithë filluan të qeshnin.
Ai foli sërish për presidentin Meta, e nismën e Kuvendit për ta shkarkuar, por edhe për kryedemokratin Basha. Në kafe dikush i tha se një ditë më parë Bashën e kishte thirrur të pandehur Prokuroria e Tiranës për çështjen e lobimit në SHBA nga një kompani ruse. Kryeminsitri u habit dhe pranoi se një gjë të tillë po e merrte vesh tani, pasi nuk e kishte lexuar më parë. “Pse është marrë i pandehur ai? Se paskam parë këtë lajm”, komentoi Rama e më tej pyeti Ulsi Manjën për akuzën.Ky i fundit tha se akuzat janë dy: Falsifikim formulari dhe pastrim parash.“Ai ka dalë 7 herë dhe ka thënë gjëra të ndryshme”,- tha Rama në lidhje me lobimin rus.