Nesër mbahen zgjedhjet e përgjithshme në tërë territorin e Kosovës. Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.
Procesi i votimit zgjat vetëm pak minuta kohë. Qendrën tuaj të votimit mund ta gjeni në faqen zyrtare në internet të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e dhënë numrin tuaj personal si dhe datën e lindjes.
Pasi ta keni mësuar se ku do të votoni, merreni mjetin tuaj të identifikimit dhe drejtohuni në pikën tuaj të votimit. Aty, do ta gjeni edhe njëherë broshurën e cila ofron udhëzimet për mënyrën e votimit.Keni kujdes: Nëse votoni për kandidatë e jo për subjektin politik, vota juaj shpallet e pavlefshme.
Gjithashtu, vota konsiderohet e pavlefshme nëse ju e votoni më shumë se 1 subjekt politik. Në anën e majtë e keni subjektin, ndërkaq në të djathtën kandidatët.Ju mund të votoni për dhjetë kandidatë, për dallim prej zgjedhjeve të mëparshme ku votohej vetëm për pesë.
Vendvotimet në Kosovë hapen nga ora 7 e mëngjesit dhe mbyllën në orën 19:00. Krejt kjo kohë llogaritet heshtje zgjedhore. Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues. Për herë të parë votojnë mbi 125 mijë të rinj.
Ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit, është 104 mijë e 924.Për herë të parë, diaspora voton nëpër përfaqësi diplomatike. Votimi përmes postës ka nisur nga 9 janari.
Në garë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë 28 subjekte politike me gjithsej 1280 kandidatë për deputet. E për kryeministër garojnë katër kandidatë.
/KosovaPress/