Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih, një ngjarje vjetore 3-ditore, ka nisur me pjesëmarrjen e mbi 50 liderëve shtetërorë dhe qeveritarë, si dhe rreth 150 ministrave nga e gjithë bota. Në këtë ngjarje të rëndësishme, do të diskutohet plani i paqes i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për Ukrainën, si dhe zhvillimet aktuale dhe sfidat që po përjeton Lindja e Mesme.
Konferenca filloi të premten në mëngjes( 14 shkurt) dhe do të shohë shumë folës në skenë pas një hapjeje nga presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier. Ata do të fokusohen në sfidat globale të sigurisë, duke përfshirë qeverisjen globale, qëndrueshmërinë demokratike, sigurinë klimatike dhe shumë tema të tjera.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance dhe i dërguari special i presidentit amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, do të jenë ndër zyrtarët më të lartë që do të marrin pjesë në konferencën e nivelit të lartë.
Përveç bisedimeve të pritshme intensive mbi luftën në Ukrainë dhe planin e paqes të presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën, konferenca do të trajtojë gjithashtu krizën e Lindjes së Mesme, procesin politik të Sirisë, konfliktet në Afrikë dhe tensionet në Azinë Juglindore.
Vance, Zelenskyy, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjithashtu do të mbajnë fjalime në konferencë.
Folësit e tjerë përfshijnë shefen e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas, Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar David Lammy, Ministrin e Jashtëm italian Antonio Tajani dhe Ministren e Jashtme kanadeze Melanie Joly.
Dita e parë e konferencës
Në ditën e parë të konferencës, von der Leyen do të flasë me temën “BE në botë”, ndërsa Vance do të marrë pjesë në një sesion tjetër të titulluar “SHBA në botë”.
Kryeministrja Letoneze Evika Silina, Ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen dhe Ministrja e Jashtme suedeze Maria Malmer Stenergard do të flasin më vonë të premten në një panel mbi luftën kundër luftës hibride në Detin Baltik.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Rafael Mariano Grossi pritet gjithashtu të trajtojë multipolaritetin bërthamor.
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi do të marrë pjesë në një sesion të titulluar “Kina në botë”.
Të shtunën, në ditën e dytë të aktivitetit, pritet të zhvillohen debate për gjendjen e rendit ndërkombëtar, si dhe për konfliktet dhe krizat rajonale. E ardhmja e partneritetit transatlantik do të jetë gjithashtu fokusi i ditës së dytë të konferencës.
Veprimtaria do të përfundojë me diskutime mbi rolin e Evropës në botë në ditën e fundit të forumit.
Kjo konferencë, që përbën një platformë kyçe për diskutime të sigurisë globale, pritet të ofrojë mundësi për dialog dhe koordinim mes liderëve ndërkombëtarë.
/Argumentum.al