Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó ka kritikuar samitin urgjent të Parisit për luftën në Ukrainë – duke e konsideruar si një tubim të “politikanëve të frustruar evropianë” – dhe duke akuzuar liderët e ftuar nga presidenti francez Emmanuel Macron se synojnë të zgjasin konfliktin.
“Mbështetësit e luftës, politikanët evropianë anti-Trump dhe të frustruar u mblodhën sot në Paris për të parandaluar një marrëveshje paqeje me Ukrainën”, tha sot ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó në një konferencë për shtyp në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, sipas agjencisë shtetërore hungareze të lajmeve MTI.
“Mysafirët e Macron, të cilët përfshijnë liderët e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Polonisë, gjithmonë kanë mbrojtur luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, duke i hedhur benzinë zjarrit dhe duke ndjekur një strategji të gabuar”, tha Szijjártó.
Qeveria e kryeministrit populist hungarez të krahut të djathtë, Viktor Orbán është përpjekur vazhdimisht të parandalojë sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe ndihmën për Ukrainën që kur Moska filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë më 24 shkurt 2022.
Orban mban marrëdhënie të mira me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin amerikan Donald Trump.